Anëtari i kryesisë së PD, Gent Strazimiri, reagoi përmes mbi gjithë deklaratat që bombarduan të mërkurën hallkat e varura nga qeveria rreth asaj se cfarë ndodhi pas vrasjes së një qytetari Egli Proga në Pogradec.
“Asnjë ‘keqkuptim’ nuk ka ndodhur në rastin skandaloz, kriminal të Pogradecit.
Përkundrazi! Skandali i vetëm, kriminal, nuk është ‘keqkuptimi’, është mirëkuptimi i të gjitha strukturave shtetërore, nga policia, tek prokuroria e gjykata, në mbulimin apo minimizimin e krimit, të përmbyllur me sukses, dje, me një vendim gjykate të ‘drejtësisë së pavarur’, të spastruar e të pasuruar me patronazhistë. Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e strukturave përgjegjëse, të gjitha vonesat në reagim apo në vlerësimin e situatës, janë të qëllimshme, të kryera në mirëkuptim të plotë kriminal, mafioz, me të vetmin qëllim: fillimisht fshehjen e autorëve, e pastaj minimizimin e aktit kriminal.
Kjo është atmosfera e trishtë në Pogradec, ku të gjitha organet ligjëzbatuese janë koordinuar në mirëkuptim të plotë për të fshehur të vërtetën…”, tha Strazimiri
“Ky nuk është rasti i parë, kur një patronazhist, i biri i një prokuroreje, i nipi i një rilindasi lokal apo një bandë e tërë syresh me shkopa bejsbolli e armë në dorë, vrasin në mes të ditës, barbarisht e, në fund thjesht gjobiten për ‘pakujdesi’…
Kaq vlen sot në ‘bursën’ e rilindjes jeta e një qytetari të thjeshtë, pa përkrahje ‘rilindasish’, prind fëmijësh të mitur që punon e jeton me djersën e tij.
Kaq vlen jeta e një qytetari të mirë që guxon t’u thotë ‘JO’, megjithëse i vetëm, dhe që po ‘i vetëm’ mbetet edhe pasi e ka paguar me jetë guximin e tij.
Egli Proga u vra nga banda e patronazhistëve të rrugës, e u përdhos nga banda e patronazhistëve në polici, prokurori e gjykatë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.