Gazeta Si - I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Durim Bami është liruar pas 2 muajsh nga autoritetet gjyqësore në Dubai.
Bami u mbajt për rreth 40 ditë, sipas periudhës së parashikuar për paraburgimin nga autoritetet vendase, e më pas gjykata ka vendosur ta lërë të lirë, duke mos e ekstraduar drejt vendit tonë.
Gjatë kohës që Bami ishte i arrestuar në Dubai, Ministria e Drejtësisë nisi zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e 45-vjeçarit.
Kërkesa mbante firmën e Ministrit Ulsi Manja dhe u dërgua në rrugë shkresore dhe elektronike. Marrja në dorëzim e dosjes penale të Bamit u konfirmua dhe nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara.
Rreth 2 muaj më parë, Bami u arrestua në Dubai falë shkëmbimit të informacionit nga Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dabi.
Emri i tij doli në dosjen Revansh, ku Bami kishte rol aktiv në planifikimin e vrasjes së Arben Ndokës, Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.
Anëtarët e grupeve kriminale kanë ofruar 1 milion euro për ‘kokën’ e Durim Bamit, ndërsa janë kërkuar vrasës me pagesë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Pas megaoperacionit të SPAK, ‘Metamorfoza 2’, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste, për personat e botës së krimit në Shqipëri, dolën detaje nga dosja se si vepronin grupet kriminale për të eliminuar kundërshtarët.
Sipas informacioneve, Durim Bami kishte prishur balancat me krerët e grupeve, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Aleksandër Ndokës, vëllai i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.
Ky i fundit mobilizoi asetet e tij pasurore dhe kontaktet e tij me personazhe të botës së krimit apo ligjit për ta eliminuar.
Pasi ka ndier rrezikun që i kanosej nga shumë prej ish-miqve të tij dhe anëtarë të grupeve kriminale, Durim Bami së bashku me vëllain e tij Valter Bami u larguan drejt Dubait, i vili është kthyer në një “parajsë” për shumë persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Po ashtu, Bami u akuzua në vitin 2015 për “kallëzim të rremë”, në të njëjtën dosje ku ishin të pandehur edhe ish-deputeti Tom Doshi dhe ish-deputeti, Mark Frroku. Shkak u bënë deklaratat publike të Doshit, se Bami ishte “rekrutuar” për eliminimin fizik të tij dhe të ish-deputetit tjetër Mhill Fufi.
Pas arrestimit, Bami mohoi të kishte marrë porosi për vrasjen dhe pretendoi se ishte kërcënuar nga deputeti për t’u regjistruar duke folur për “skenarin” e eliminimit të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.