Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se i kanë propozuar presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro që të heqë dorë nga pushteti në këmbim të një amnistie.
Lajmi është publikuar nga “Wall Street Journal”, e cila citon “burime të mirëinformuara”. Sipas gazetës amerikane, SHBA po zhvillon bisedime sekrete dhe ka vënë “gjithçka në tavolinë” për të bindur liderin e Venezuelës, i cili ka qenë në pushtet për më shumë se dhjetë vjet, të tërhiqet para përfundimit të mandatit të tij në janarin e ardhshëm.
Bisedimet, nënvizon WSJ, “përfaqësojnë një fije shprese për opozitën politike venezueliane, e cila ka arritur rezultatet elektorale që do të tregonin se kandidati i saj, ish-diplomati Edmundo González, mundi Maduron me një fitore dërrmuese në zgjedhjet e 28 korrikut.
Gjatë dy javëve të fundit, Maduro ka burgosur mijëra disidentë dhe ka udhëzuar Gjykatën e Lartë, të përbërë nga aleatët e tij, të zgjidhë ngërçin zgjedhor, duke marrë kohë”.
Shtetet e Bashkuara, vazhdon gazeta amerikane, “i kishin bërë një ofertë për amnisti Maduros gjatë bisedimeve sekrete në Doha vitin e kaluar, por presidenti venezuelian kishte refuzuar të diskutonte marrëveshjet, në të cilat ai do të duhej të largohej nga pushteti. Një person i afërt me regjimin, tha se pozicioni i Maduros nuk ka ndryshuar për momentin”.
Përsëri sipas WSJ, zyrtarët amerikanë kanë “prova dërrmuese”, se Maduro i ka humbur zgjedhjet e 28 korrikut.
Që nga mbyllja e votimeve – të cilat zyrtarisht panë që lideri aktual venezuelian fitoi me pothuajse 52% të votave – Këshilli Kombëtar Zgjedhor nuk i ka publikuar ende të dhënat e rezultatit në regjistrat elektoralë.
Javët e fundit ka pasur protesta dhe përleshje në vendin e Amerikës së Jugut, duke rezultuar në të paktën 24 të vdekur dhe mbi 2200 arrestime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




