Nga Gazeta Si – Me ndarjen edhe zyrtare nga Sali Berisha përmes largimit nga grupi parlamentar i PD, Enkelejd Alibeaj, ka bërë distancim të qartë edhe nga Lulzim Basha. Qendrimi i tij si pjesë e grupit duket kompromentues në raport me Berishën. “Për mua, mund t’i përfshini të gjithë bashkë, si Sali Berishën; si Lulzim Bashën. Kush nuk distancohet nga Sali Berisha, duket që pret diçka nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha vazhdon të jetë okesë e grupit parlamentar të Sali Berishës. Kjo nuk është rruga ime“ tha zoti Alibeaj në një intervistë për Gazeta Si, ku tregon se cila është rruga politike që ai synon të ndjekë.
Një rrugë larg asaj që e quan berishizëm, në përpjekje për ta konkretizuar në parlament me një grup të ri dhe në gjykatë përmes një partie të re. “Unë e mbështes këtë lëvizje, por jemi në diskutime. Kjo varet sesa kolegë deputetë do të arrijnë të kuptojnë se kjo është më e mira jo për ta, por për shqiptarët- krijimi i një poli politik larg berishizmit brenda apo jashtë parlamentit. Me fjalë të tjera, një gjë të ndryshme nga binomi i vjetër 34 vjeçar Rama-Berisha” u shpreh Enkelejd Alibeaj, i cili, që pas shtatorit 2021, ka mbajtur qendrimet më të forta kundër Berishës dhe drejtoi PD pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.
Gazeta Si: Pas marrjes së vulës nga Sali Berisha, ju jo vetëm u larguat nga grupi parlamentar i PD, por dhatë mesazhe distancimi edhe nga Lulzim Basha. Çfarë ju ndan me të?
Enkelejd Alibeaj: Jam i distancuar prej kujtdo që vazhdon të jetë me dashje apo pa dashje në hijen e Sali Berishës dhe që nuk bën një ndarje të qartë me berishizmin. Unë besoj që PD nuk duhet të ishte peng i një njeriu, por t’i ruante marrëdhëniet e mira me partnerët e saj strategjikë, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar. Duhet të ishte e vetmja parti politike që mbështeste pa kushte drejtësinë e re, SPAK-un veçanërisht. Duke bërë zgjedhjet e mia, nuk i imponoj askujt të bëjë zgjidhjet e veta politike. Ne bëmë një betejë trevieçare, mbajtëm qendrimet tona, patëm edhe përplasje fizike më 8 janar 2022. Të gjitha këto vendosën një ndarje të qartë morale dhe ideologjike me grupin që përfaqësohet dhe udhëhiqet nga Sali Berisha.
Prandaj, ndarja nuk është vetëm me një individ, në këtë rast Lulzim Basha, por me çdo individ, që nuk e ndjek këtë kauzë, e cila ka në themel distancimin nga berishizmi, mbajtjen e fytyrës politike të pastër, nevojën e shoqërisë për t’u shkëputur nga e vjetra. Më rezulton se deri tani, ai nuk e ka bërë. Sigurisht, që ndahem në paqe me këdo, secili ndjek rrugën e vet, por rruga ime është ajo e mëparshmja, nuk ka ndryshuar. Njerëzit që na kanë mbështetur, që kanë besuar tek ne, edhe pa u bërë thirrje personale, nuk mund të lihen në mes të rrugës. Do të ishte mëkat që, për shkak se vula iku diku tjetër me vendim gjykate, ne të heshtnim dhe të pranonim që të jemi pjesë e vathës së Sali Berishës.
Gazeta Si: Ju thoni që politikanët maten nga aktet politike që bëjnë. Çfarë akti duhet të bëjë Lulzim Basha, në mënyrë që të shmanget copëzimi i mëtejshëm i opozitës?
Enkelejd Alibeaj: Nuk e pres vetëm nga Lulzim Basha, por edhe nga shumë të tjerë. Pres që të bëjë atë që bëri Arbi Agalliu. Jo vetëm të largohet nga grupi parlamentar, se ky është minimumi, por janë arsyet e deklaruara publikisht ato që bëjnë ndarjen. Nuk mund të vazhdosh të jesh nën hijen e një partie dhe të mos kesh kurajo të mos distancohesh nga kjo parti, e cila, gjithmonë e më tepër, po shkon në bjerrje dhe drejt fundit të jetës së saj. Kryerja e këtyre akteve jep një një rreze shprese për ata që duan të shohin se përveç berishizmit ka edhe mundësi të tjera për të qenë të përfaqësuar. Pra, zgjidhja është distancimi nga Sali Berisha dhe jo të presësh se, ndoshta, Sali Berisha do të të bëjë sërish deputet. Distancimi nuk mund të bëhet vetëm me fjalë, por me akte politike, duke mbajtur përgjegjësi, siç bëra unë që dhashë dorëheqjen pas zgjedhjeve lokale në 2023 dhe siç bëra tani, pas humbjes së vulës, pavarësisht se ai ishte një vendim i padrejtë. Pra, atje ku nuk je i suksesshëm, duhet të mbash përgjegjësi.
Gazeta Si: Nëse Basha do të bëjë një parti të re në vjeshtë, duke bërë dhe distancimin që ju kërkoni nga Sali Berisha, do të bashkoheni me të apo keni një projekt të pavarur për një parti tjetër?
Enkelejd Aibeaj: Për mua, mund t’i përfshini të gjithë bashkë, si Sali Berishën; si Lulzim Bashën. Kush nuk distancohet nga Sali Berisha, duket që pret diçka nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha vazhdon të jetë pjesë e grupit parlamentar të Sali Berishës. Kjo nuk është rruga ime. Siç e lexoj unë momentin politik të shoqërisë shqiptare, lidhur edhe me reformën zgjedhore të miratuar në fund të sesionit parlamentar, duket se ka vetëm një palë politike sot, Edi Rama-Sali Berisha.
Prandaj, edhe meqë isha formalisht drejtues i PD në zgjedhje vitin e shkuar, shoh që kam një detyrim moral ndaj atyre 105 mijë demokratëve që na votuan, por edhe ndaj shqiptarëve të tjerë, që, ndoshta nuk na duan ne, por janë 70% e shqiptarëve që mbështesin SPAK-un, mbështetje të cilën unë e përkthej si mbështetje ndaj ndryshimit pas 34 vite dhënies fund të tranzicionit. Secili nga ne që e mendon kështu, e ka për detyrë që këta njerëz t’i përfaqësojë. Modalitet se si, janë për t’u parë. Por, përpara se të shkohet thjesht në një parti politike, duhet parë sesa njerëz jashtë politikës e kanë këtë nevojë dhe mund të bashkohen. Të tjerat pastaj janë teknikalitete, por e sigurtë është që nuk mund të ecim me “nëse”, me paqartësi, me vonesë, me paqartësi.
Gazeta Si: Janë të vërtetë zërat se ju po përpiqeni të krijoni një grup parlamentar në shtator?
Enkelejd Alibeaj: Ne jemi duke e diskutuar me njëri-tjetrin se cila është mënyra më e mirë për të krijuar një grup përfaqësues, pse jo edhe në parlament. Unë e mbështes këtë. U kam thënë edhe kolegëve se mënyra më e mirë për ne, përveç aktit të largimit, do të ishte një akt pozitiv, krijimi i një grupi parlamentar. Nuk e di sa do ta arrijmë, se kjo është çështje numrash, duhen 7 deputetë, por do të përpiqemi.
Kjo varet sesa kolegë deputetë do të arrijnë të kuptojnë se kjo është më e mira jo për ta, por për shqiptarët- krijimi i një poli politik larg berishizmit brenda apo jashtë parlamentit. Me fjalë të tjera, një gjë të ndryshme nga binomi i vjetër 34 vjeçar Rama-Berisha. Sot, Shqipëria nuk ka opozitë, ndaj është nevojë ulëritëse që të ketë një opozitë në parlament apo jashtë parlamentit. A do të jem unë apo dikush tjetër, këtë nuk e them dot sot, por do të jap kontributin tim.
Gazeta Si: Ju synoni të merrni pjesë në zgjedhje me një formacion të ri politik, edhe pse sistemi zgjedhor, megjithë ndryshimet e reja, nuk favorizon partitë e vogla apo partitë e reja?
Enkelejd Alibeaj: Me atë çfarë u bë me reformën zgjedhore, nuk ka kontributor më të madh, mbështetës më të madh të Edi Ramës, sesa Sali Berisha. Praktikisht, me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, i dha mandatin e katërt, pa u bërë zgjedhjet. Unë nuk jam që te mos bëhen marrëveshje, por me çfarë efekti? Me këtë ndryshim, i ka dhënë Edi Ramës 12 mandate. Sistemi elektoral e ndan Shqipërinë në 12 zona dhe për shkak të formulës së këtij sistemi, mandatet e fundit të çdo qarku, si rregull, i shkojnë partisë më të madhe. Unë nuk shoh që PD të bëhet partia më e madhe në 2025, por do të mbetet në opozitë, edhe më e vogël, per interesat personale të një njeriu të vetëm. Ju kujtohen përbetimet e Ramës se nuk do të ketë kurrë marrëveshje me non gratën dhe përbetimet e Berishës se Rama është armik që duhej përmbysur, por pazarin e reformës e bënë së bashku.
Pazari është fare i thjeshtë, Rama të mbajë qeverinë edhe katër vite, të vjedhë e të plaçkisë vendin, kurse Berisha të mbajë besnikët e vet poshtë ballkonit. Kjo është një arsye më shumë që ne, me diskutimet tona, të arrijmë të konkludojmë në një vendim për një parti të re dhe të vendosim të marrim pjesë në zgjedhje. Ajo që vjen në 2025-ën, siç unë e mendoj, është një ndarje e madhe midis të shkuarës dhe të ardhmes. Njerëzit që na votuan, shumë njerëz të tjerë që e refuzojnë Rama-Berishën, ata që mbështesin drejtësinë, ata që nuk duan të largohen nga vendi, këta të gjithë e duan ndryshimin. Këtyre njerëzve u duhet dhënë mundësia për të qenë të përfaqësuar politikisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.