Menaxhim

Kush do t’a marrë Bylisin? Miratohet plani i ri i menaxhimit: Nga ruajtja e trashëgimisë tek kafenetë e festivalet

Nga Gazeta ‘SI’- Parku Arkeologjik i Bylisit do të merret në menaxhim nga një Fondacion privat, ashtu si modeli i parkut të Butrintit.

Plani është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.

Në planin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndonëse mbështet ideja e administrimit nga një Fondacion privat, rreshtohen dhe risqet që ka një vendim i tillë. Në dokument thuhet se kontraktimi i një privati mund të përforcojë dëshirën për fitime më shumë se sa për mbrojtje, por edhe sepse ka një përshtypje negative në publik. Në këtë drejtim, do të jetë e vështirë gjetja e bashkëpunëtorit të duhur, thotë qeveria.

Një Fondacion i krijuar me institucione të Trashëgimisë Kulturore, ka më pak burime financimi thotë dokumenti dhe shihet si një institucion qeverisje.

Ruajtja direkte nga shteti, siç është aktualisht, MEKI thekson se nuk ka rezultuar me sukses.

Qëllimi final i planit të menaxhimit për Bylisin është mbrojtja dhe restaurimi i trashëgimisë, përmirësimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i ekonomisë lokale.

Në planin e ri të menaxhimit, përveç konservimit të natyrës dhe siteve arkeologjike, theksohet se do të ketë mundësi zhvillimi dhe për “sipërmarrje të reja të mikpritjes së turizmit”.

“…sektori privat, i cili duhet të zgjerohet dhe angazhohet për të adoptuar një qasje të ngjashme dhe sistematike ndaj zhvillimit ekonomik dhe zinxhireve të vlerës”, thuhet në dokument.

Po ashtu, aty përcaktohen llojet e shërbimeve ku tek ndarja “TOKË” përfshihen bar-kafetë dhe shtëpitë pritëse, shërbimet “AJËR”, aktivitetet e festivaleve dhe eventeve etj.

Administrimi nga fondacioni privat – modeli Butrint

Teksa për Bylisin reagimet s’kanë nisur ende, kakofonia e Butrintit vazhdon.

Modeli i menaxhimit të Butrintit nga një fondacion doli për herë të parë në vitin 2018 dhe debatet e hapura atëherë, nuk janë mbyllur ende.

Arkeologët dhe njohësit e trashëgimisë, bashkë me opozitën, kundërshtuan dhënien e Butrintit ne administrim të një Fondacioni privat, sipas të cilëve rrezikon të kthehet në një qendër interesash ekonomike private e jo kombëtare. Kjo u kundërshtua fort nga socialistët dhe nga përfaqësuesit e AADF-së, Fondacionit Amerikano-Shqiptar që ‘fitoi’ Butrintin. AADF ka të drejtën dhe detyrimin e administrimit të pasurisë kulturore (jo pronësinë) për një periudhë 10-vjeçare me të drejtë rinovimi nëse modeli rezulton me sukses.

Ashtu si edhe në planin e Bylisit, edhe tek ai i Butrintit, parashikohen ngritje të subjekteve turistike apo njësi akomodimi.

Investimi total në të parashikohet të arrijë 7.5 mln dollarë, nga të cilët 2 do të dalin nga arka e shtetit dhe pjesa tjetër nga AADF. Pjesa më e madhe e tyre do të shkojnë për ngritjen e bizneseve të shërbimit, barë dhe restorante. Sipas qeverisë, një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0.5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Referuar planit të Parkut të Butrintit, hartuar po nga AADF, në një prononcim për Gazetasi.al Granoff përjashtoi mundësinë e ndërtimit të subjekteve tregtare në zonën e parkut. Ai tha përballë mediave se fondacioni nuk do të merret me ndërtime komerciale, dhe i vetmi ndërtim do të jetë ai i qendrës së turistëve brenda parkut.

Në draft-planin e Fondacionit, parashikohet krijimi i një zone rekreacioni në parkun e Butrintit ku specifikisht thuhet se do të ketë godina për shërbime turistike, ndërtesa për akomodim turistësh dhe infrastrukturë e struktura të tjera të parashikuara për vizitorët. Gjithsesi AADF nuk ka nxjerrë ende një plan biznesi konkret.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë