Menaxhim

Raporti i koncesioneve / Aeroporti i Rinasit në risk operacional. Terminali i trageteve në Durrës i rrezikuar nga aktiviteti i ulët dhe mungesa e punimeve

Nga Gazeta 'SI' - Ministria e Financave, në raportin e koncesioneve për vitin 2023, ka raportuar se në kontratën për aeroportin “Nënë Tereza” janë sinjalizuar disa risqe.

Në raport thuhet se autoriteti kontraktues (ish-MFE dhe MIE) ka raportuar një probabilitet të mesëm për riskun operacional. Sipas shpjegimit të MF, risk operacional konsiderohen problemet me shërbimin, kapacitetet, mungesën e cilësisë etj.

Kontrata ka dhe të tjera risqe që, por me probabilitet të ulët, që nga risku i qeverisjes, ndërtimit, kërkesës, risku financiar, ai i rinegocimit dhe i ndërprerjes së kontratës.

Gjatë përshkrimit të ecurisë së kontratës, raporti thotë se koncesionari ka iniciuar investimet e kërkuara, që nga riformimi i terminalit ekzistues dhe përmirësimin e pistave.

Një tjetër koncesion që ka risqe prezente është ai i terminalit të trageteve në portin e Durrësit.

Autoriteti, ministria e Infrastrukturës, konsideron me probabilitet të mesëm për të ndodhur riskun e kërkesës (mosrealizimi i kërkesave aktuale dhe të ardhshme të trafikut), riskun e negocimit, riskun e përfundimit para kohe të kontratës (anullimi i projektit), riskun e qeverisjes si dhe riskun e ndryshimeve ligjore.  

Për vitin 2023 Autoriteti Kontraktues ka raportuar se projekti është pezulluar për shkak të mosndërtimit të kalatës 9-c. Deri më tani nga Koncesionari është realizuar 23% e vlerës së parashikuar prej 4,130,000 euro.

MF tregon se në 2023-shin, pagesat e buxhetit të shtetit për koncesionet dhe PPP-të janë ulur nga 6.95%/PBB-së në 6.86%/PBB-së. Sektori që ka peshën më të madhe të kontratave në numër dhe në vlerë është sektori i energjisë me 183 kontrata, me një vlerë totale prej 415.2 miliardë Lekësh.

Sektori i dytë me peshë më të madhe përsa i përket vlerës së kontratave është sektori i transportit, me 21 kontrata, me vlerë totale 123.8 miliardë Lekë.

Ndërkohë sektori i mjedisit ka në total 6 kontrata me vlerë 25.8 miliardë Lekësh të cilat konsistojnë në ngritjen e sistemit të përpunimit të mbetjeve, menaxhimin e pyjeve, si dhe shfrytëzimin e burimeve ujore.

Në total, numri i kontratave të koncesioneve/PPP të miratuara në Shqipëri deri në vitin 2023 shënon 230 kontrata, 6 prej tyre janë zgjidhur, si rezultat numri aktual i kontratave aktive të koncesionit/PPP është 224. Numri më i madh i tyre ka si Autoritet Kontraktues Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 208 kontrata koncesionare/PPP. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë 4 kontrata koncesionare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë