Gazeta Si- “Hebrenjtë nuk do të vdesin më të pambrojtur si delet në thertore”. Ky është në premtimi që udhëheqësit sionistë i bënë popullit të tyre pas vitit 1945, i rinovuar më pas çdo vit që atëherë nga qeveritë izraelite, ku në orët e fundit përputhen motivet e vrasjeve të liderit politik të Hamasit në Teheran, Ismail Haniyeh dhe të liderit ushtarak të Hezbollahut në Bejrut, Fuad Shukri.
Për të gjitha qëllimet, historia e vrasjeve në shënjestër kundër armiqve të Izraelit ka rrënjë dhe motive që datojnë nga tregimi i pafund dhe i dhimbshëm i antisemitizmit që kulmoi në tragjedinë e Holokaustit.
Fjala “kurrë më” e përsëritur atëherë nga David Ben Gurion është kthyer në moto për çdo lloj operacioni ushtarak.
Edhe para se të themelohej shteti, organizatat paraushtarake hebreje (veçanërisht ato të së djathtës, si “Lehi” dhe “Irgun”, drejtues të të cilëve ishin dy njerëz që më vonë do të bëheshin kryeministra, si Menachem Begin dhe Yitzhak Shamir), nuk ngurruan të eliminojnë liderët e lartë britanikë, të cilët konsideroheshin si pengesa për emigracionin hebre në Palestinë
Autori izraelit, Ronen Bergman, në “Rise and Kill First”, historia sekrete e atentateve në shënjestër, kujton se ndër frymëzuesit e Mosadit ishin militantët e lëvizjeve si “Gmul”, nga hebraishtja mund të përkthehet si “kompensim”, e cila midis majit dhe korrikut 1945, vrau “afro 100 dhe 200 udhëheqës nazistë” në Evropë, të dyshuar se kishin marrë pjesë në shfarosjen e hebrenjve.
Numrat
Historianët dhe gazetarët e specializuar në historinë e shërbimeve sekrete izraelite, si Benny Morris, Ian Black dhe Yossi Melman, kanë shkruar të njëjtën gjë: që nga origjina e tij, Izraeli nuk ka hezituar të eliminojë askënd që perceptohet si rrezik për ekzistencën e shtetit dhe hakmarrjet e dhunshme me jetët e civilëve të pafajshëm, nuk kanë përfaqësuar kurrë një pengesë.
Për më tepër, Bergman vëren se “që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Izraeli ka vrarë më shumë njerëz se çdo vend tjetër perëndimor”.
Numrat flasin vetë: nga periudha e pasluftës deri në fillimin e Intifadës së Dytë në shtator 2000, Izraeli kreu rreth “500 operacione të shënjestruara të vrasjeve, që shkaktuan një mijë viktima civilë dhe guerile”.
Represioni i Intifadës së Dytë më pas pa përdorimin sistematik të dronëve, pati një mijë operacione, nga të cilat 168 ishin plotësisht të suksesshme.
Më pas, dhe deri në vitin 2018, u kryen 800 vrasje të tjera të synuara, pothuajse të gjitha kundër Hamasit, Hezbollahut dhe Xhihadit Islamik si në Gaza ashtu edhe në Liban, Emiratet e Bashkuara, Siri dhe Iran.
Vitet e fundit, këto shifra janë parë të rriten. Një histori e gjatë, e ndërtuar gjithashtu mbi mite dhe figura legjendare.
Për shembull, “brigada 101”, e cila në fillim të viteve 1950 ishte e komanduar nga Ariel Sharon dhe kryente reprezalje të dhunshme kundër fshatrave në Bregun Perëndimor (atëherë dhe deri në vitin 1967 pjesë e regjimit Hashemite), nga të cilët fedajinët kryen bastisje për dëmtimin e vendbanimeve dhe fshatrave kufitare.
Të paktën dy breza izraelitësh u rritën duke nderuar Meir Har Zion, një personazh i gjeneratës së tretë të lindur në Herzliya në vitin 1934, i cili ecte me motrën e tij pas linjave jordaneze për në Petra, marshoi natën dhe u hakmor për viktimat izraelite duke vrarë arabët që gjetën në rrugën e tyre.
Por pikërisht me lindjen e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) të Yasser Arafat në mesin e viteve 1960 dhe për rrjedhojë me veprimet guerile dhe terroriste (përfshirë rrëmbimet e avionëve dhe sulmet në aeroporte), strategjia e vrasjeve në shënjestër po rafinohet.
Ajo u zhvillua në veçanti nga Zvi Zamir, drejtor i Mossad nga viti 1968 deri në 1974, me mbështetjen e plotë të kryeministres së atëhershme Golda Meir.
Shkaku ishte vrasja në të ashtuquajturin “Shtatori i Zi” (i lidhur me PLO) i 11 sportistëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Mynihut në vitin 1972. Më pas filloi operacioni “Zemërimi i Zotit”. Objektivi: vrisni përgjegjësit, të gjithë, një nga një.
Ai zgjati njëzet vjet dhe sheh bashkëpunimin e disa shërbimeve evropiane. Shumë detaje mbeten ende të paqarta, ku duket se u vranë rreth tridhjetë palestinezë.
Michael Harari, një nga agjentët e përfshirë, e përshkroi organizatën kështu: “Ne ishim rreth pesëmbëdhjetë agjentë të ndarë në pesë ekipe, dy vrasës të trajnuar, dy roje, dy që kujdeseshin për logjistikën, si marrja me qira e dhomave në hotele, gjetja e makinave, etj.
Një ekip prej gjashtë ose tetë agjentësh ishin përgjegjës për identifikimin e objektivave, gjetjen e rrugëve të arratisjes dhe dy agjentë përgjegjës për komunikimin”.
Një nga bastisjet më të famshme, ishte ajo e kryer në Bejrut në vitin 1973, kur një ekip i udhëhequr nga Ehud Barak i maskuar si grua (ai më vonë do të bëhej shef i ushtrisë dhe më pas kryeministër laburist në fillim të mijëvjeçarit të ri), mbërriti natën në një gomone, bastisi në selinë e PLO, duke arritur të vriste disa liderë të shquar, si Kamal Adwan, kreu i operacioneve ushtarake, Mohammad Youssef Najjar, anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe zëdhënësi Kamal Nasser.
Shpërthimi i Intifadës së Parë në dhjetor 1987 përfaqësoi një sfidë të re për aparatin e sigurisë. Papritur, territoret e pushtuara njëzet vjet më parë u bënë rajone konflikti.
Revolta u ngrit spontanisht në mesin e popullatës palestineze. Por Mossad vendosi të vriste udhëheqësin ushtarak të PLO-së në Tunizi, Khalil al-Vazir, krahu i djathtë i Arafatit dhe i njohur si Abu Xhihad.
U zhvillua në pranverën e vitit 1988 dhe do të ishte operacioni i fundit i rëndësishëm kundër PLO-së palestineze.
Dështimi
Në të njëjtën periudhë, po maturoheshin kushtet për marrëveshjet e Oslos. Por ndërkohë lindi Hamasi, i cili së bashku me Xhihadin Islamik përuruan sezonin e sulmeve vetëvrasëse.
Që atëherë, emrat e viktimave të atentateve në shënjestër kanë ardhur kryesisht nga kampi islamik. Në vitin 1996 radha ishte e Yahya Ayyash, i njohur më mirë si “inxhinieri”, i cili ishte ndërtuesi i bombave për sulmet vetëvrasëse në Gaza.
Një vit më pas, Mossad dështoi në mënyrë spektakolare: dy nga agjentët e tij u përpoqën të derdhnin një ilaç helmues në veshin e liderit të Hamasit në Aman, Khaled Mashal.
Ai reagon dhe agjentët kapen. Izraeli detyrohet të japë kundërilaçin për helmin për të shpëtuar Mashalin dhe për të kthyer në shtëpi 007-at e tij.
Në vitin 2004, Ahmed Yassin, themeluesi historik i Hamasit, u vra. Nuk do të jetë i fundit, siç duket se po shkojnë gjërat së fundmi. Por çdo herë Hamasi zëvendëson të rënët e tij me liderë të rinj.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.