Politike

Vullnet Sina i PS nuk garon më për deputet, por PD s’e do as në shtator në Kuvend: Përfitoi mln lekë nga buxheti i Shtetit  

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do t’i kërkojë Kuvendit në shtator që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina. Sipas grupit të PD-së, nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se, “deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit”.

Vullnet Sina ka deklaruar më herët se nuk ka synim të garojë për mandatin e radhës në Vlorë në zgjedhjet e 2025. Njoftimin e bëri publik kryeministri Edi Rama në mbledhjen e fundit të Kongresit duke thurur elozhe se Sina nuk kishte kërkuar asgjë në këmbim gjatë punës së tij si deputet, një deklaratë kjo që nuk ka kaluar pa u vënë re as nga grupi i PD-së.

“Deputeti Vullnet Sina i shpallur si ‘deputet kampion’ nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend”. thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së. Punimet e Kuvendit pritet të fillojnë në muajin shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë