Politike

Votat në skaner dhe llogaritjet e PS me ‘laps e letër’/ Tavo fitoi me rritjen e pjesëmarrjes në 3 njësitë e mëdha, mori vota të ‘Belerit’ në Lukovë, u rrit por e humbi sërish zonën e Himarës    

Nga Gazeta Si - Kandidati i Partisẽ Socialiste në zgjedhjet e pjesshme lokale nē Himarē, Vangjel Tavo fitoi garën për bashkinë me 58.62% të votave.

Tavo ka marrë 5022 vota kundrejt kandidatit të koalicioni opozitar Petraq Gjikuria i cili mori 41.38 % ose 3545 vota.

Një diferencë me 1477 vota nisur nga vit më parë kur Fredi Beleri fitoi ngushtë me 19 vota përballë kandidatit socialist, Gjergji Goro.  

Ecuria e procesit të numërimit të votave ishte e qetë, ndërsa i vetmi debat që shoqëroi votimin e së dielës ishin kartat e identitetit të skaduara, një alibi që u përdor dendur nga PD-ja për rezultatin e pritshëm zgjedhor.

Karta të identitetit të skaduara në Himarë ishin rreth 6 mijë (ashtu si edhe në vitin 2023) ndërsa ata që shkuan të votojnë të dielën me një dokument jo të vlefshëm ishin rreth 600.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi pranoi ngërçin por tha se nuk ishte kompetence e tij por e qeverisjes qendrore, ndërsa lëshoi një thumb për opozitën kur tha se nuk kish ardhur kërkesë zyrtare prej tyre për pranimin e votimit të dielën me dokument identifikimi të skaduar.

E vetmja deklaratë realiste për atë që po ndodhte në Himarë ishte ajo e Vangjel Dules kur tha se Tavo kishte hyrë i sigurte në zgjedhje me 1 mijë vota në favor të tij.

E pritshmja u duk që nga pjesëmarrja që ndryshonte nga një vit më parë.    

Pjesëmarrja në votime ishte më e lartë nga 2023 kur votuan 7821 zgjedhës.

Këtë vit pjesëmarrja shkonte në 8692 votues, pra 871 votues më shumë.

Por ku?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet zyrtare dhe ajo që bën përshtypje është rritja e PS-së në Himarë, gjithsesi jo aq sa për ta fituar këtë zonë dhe përmbysja e votave në Lukovë.

Partia Socialiste ka humbur sërish Himarën.  Por ndryshe nga një vit më parë, PS është rritur konsiderueshëm në shifra në këtë zonë nga 1576 vota (vitin e kaluar) në 2132 këtë vit.

Por si? Nga rritja e pjesëmarrjes.

KQZ vlerësoi 4594 vota të vlefshme dhe 74 të pavlefshme këto zgjedhje në Himarë.

Sa ishte në 2023?  4022 vota të vlefshme dhe vetëm 6 vota të pavlefshme.

Të dielën PD-ja me kandidatin Gjikuria lëvizi me vetëm pak vota më shumë në Himarë nga 2023; nga 2446 që kishte një vit më parë në 2462 këtë vit në favor të Petraq Gjikurisë.

Ndryshe nga kandidati tjetër, Vangjel Tavo, i cili mori 556 vota më shumë se kandidati Goro në 2023-in

Një tjetër rezultat që ka ndikuar dukshëm në favor të Tavos është edhe votimi në Lukovë.

1725 vota ka marrë Vangjel Tavo në Lukovë, kandidati përballë tij 942 vota.

Sa ishte diferenca në këtë zonë zgjedhjet e një viti më parë? Vetën 70 vota.

Konkretisht Gjergji Goro 1270, ndërsa Fredi Beleri 1200 vota. Por si fitoi Tavo kësaj here? Duke rritur pjesëmarrjen dhe duke marrë vota edhe nga ata që një vit më parë votuan për Belerin.

Në zgjedhjet e 2023 në Lukovë u vlerësuan nga KQZ 2470 vota të vlefshme dhe 62 të pavlefshme.

Këtë vit situata ndryshoi me shifrat. Në Lukovë rezultuan 2667 vota të vlefshme dhe vetëm 30 të pavlefshme.   

Tavo ka fituar 455 vota më shumë se Goro në Lukovë i favorizuar nga rritja e pjesëmarrjes (rreth 200) dhe ‘huazimi’ i votave nga zgjedhësit e Belerit

Hore Vranisht është një tjetër zone që ka votuar majtas ndër vite por pa ndonjë peshë në vota.

Sivjet pjesëmarrja ishte më e lartë. 1363 vota të vlefshme në 2024 ndërsa një vit më parë 1163.  Edhe ne Hore Vranisht rritja favorizoi Tavon. Pse?  

Nga 972 vota pro zgjedhjet e kaluara, Vangjel Tavo sivjet ka marrë 1165 ose 89% të votave, që do të thotë 193 vota më shumë.  

PD-ja aty ka marrë 50 vota më pak.

Petraq Gjikuria ka marrë ne Hore Vranisht 141 vota nga 191 vota që Fredi Beleri mori në këtë zonë një vit më parë.     / N,.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë