Politike

Dule: Himara të hënën do të zgjohet me 2 kryetarë të zgjedhur! Tavo hyri në zgjedhje me 1.000 vota plus

Gazeta Si – Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule është shprehur se Himara nesër (të hënën 5 gusht), do të zgjohet me 2 kryebashkiakë të zgjedhur.

Në një prononcim për mediat, Dule ka thënë se mandati i Fredi Belerit akoma nuk i është ndërprerë konform ligjit dhe me vendim të formës së prerë.

“Ende nuk ka një vendim të formës së prerë në lidhje me kushtetueshmërinë e këtij dekreti. Së dyti, Himara nesër do të zgjohet me 2 kryebashkiakë të zgjedhur. Mandati i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerit nuk është i ndërprerë konform ligjit dhe me vendim të formës së prerë, – tha Dule. – Është për t’u gjykuar në KAS ankimimi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe njëkohësisht dhe i Belerit. Ankimime të depozituara konform ligjit brenda hapësirës kohore të 30 ditëve që parashikon ligji dhe procedura”.

Dule pretendon se janë shtuar në mënyrë artificiale 311 zgjedhës në listat e votimit për zgjedhjet e sotme për kryebashkiak të Himarës.

“Që para nisjes së fushatës zgjedhore, kandidati i mazhorancës me zë dhe figurë pohoi publikisht se ka transferuar gjendjen civile të disa qytetarëve që nuk janë banorë të Himarës me qëllim që të mbrojë votën e tij. Janë gjithsej 311 zgjedhës që janë shtuar në listat e zgjedhjeve të sotme, krahasuar me listat e zgjedhjeve të majit 2023. Është shtuar në mënyrë artificiale me 311 zgjedhës, nga të cilët 93 ka indicie se janë regjistruar, ose kanë transferuar gjendjen civile edhe përtej kohës. Nuk kemi asnjë veprim nga ana e SPAK”.

Më tej, Dule thekson se në këto zgjedhje janë mbi 25% e zgjedhësve që u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes me mosnxjerrjen e vendimit nga qeveria për të votuar me karta identiteti apo pasaporta që ju ka kaluar data e skadencës.

Ai shton se janë mbi 600 qytetarë që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe nuk janë lejuar që të votojnë duke qenë se kanë pasur ID e skaduar.

“Shifrat tona tregojnë se janë mbi 600 qytetarë që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe u është refuzuar në procesin zgjedhor. Duke qenë i njëjti mandat, nuk duhej vendim i ri për të ju dhënë zgjedhësve mundësinë për të marrë pjesën në votime. Me 311 zgjedhës të importuar në Himarë nga Tavo, plus 600 zgjedhës, që deri tani ju është privuar e drejta e votimit, kandidati i PS ka hyrë me plus 1 mijë vota, krahasuar me atë të opozitës”, – deklaroi Dule.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë