Gazeta Si – Kandidati i Partisë Socialiste për kryebashkiak të Himarës, Vangjel Tavo ka votuar në orën 10:30 në Palasë.
Në një deklaratë për mediat pas votimit, Tavo u bëri thirrje banorëve të Himarës që të votojnë programin më të mirë.
“Sot e kanë fjalën Himara dhe himariotët për të votuar, procesi ka qenë i qetë dhe uroj të vazhdojë kështu deri në fund të votimit. Të mbizotërojë qetësia, sikurse ka mbizotëruar gjatë javës elektorale, i bëj thirrje banorëve të Himarës të dalin në votime dhe të votojnë projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën e himariotët”.
I pyetur për problemin e kartave të identitetit të skaduara, Tavo theksoi se kjo është çështje e ligjit.
“Çështja e kartave nuk është çështja ime, por e organeve KZAZ, KQZ, është çështje e ligjit dhe mbi ligjin nuk mund të dalë asnjë njeri. Nuk kam asnjë koment”.

Ndërsa kandidati i opozitës, Petro Gjikuria thotë me bindje se ai do të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë Himarë. Në një prononcim për mediat, Gjikuria u bën thirrje zgjedhësve që t’u drejtohen kutive të votimit.
“Kjo është një ditë feste, le ta festojmë të gjithë bashkë. Është dita e demokracisë, uroj të gjithë bashkëfshatarët e mi të shkojnë në kutitë e votimit, të votojnë, të fitojë më i miri, të fitojë demokracia. Unë do të jem kryetari i ardhshëm i Bashkisë Himarë”, – tha ai.
Në lidhje me problemin e qytetarëve, të cilët nuk janë lejuar të votojnë për shkak të kartave të identitetit të skaduara,
Gjikuria thotë se është problem, teksa pretendon se zgjedhësve socialistë u kanë dhënë kartat brenda 24 orëve, ndërsa atyre të opozitës për 2 javë.
“Vitin e kaluar u lanë njerëzit të votonin me karta të skaduara, kurse këtë herë nuk u lanë të votonin edhe ky është një problem se edhe trajtimi i qytetarëve në Bashkinë e Himarës, socialistëve u jepnin karta brenda 24 orëve, kurse anës tjetër u thoshin “për 2 javë”. Nuk mendoj se do të ndikojë në rezultat, do të jetë një rezultat i mirë. Koalicioni “Bashkë Fitojmë do të fitojë, do të fitojë demokracia. Këtu i bëjnë ligjet si të duan vetë”, – shtoi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




