Gazeta Si – Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dhënë një prononcim për mediat në lidhje me procesin e votimit të Bashkinë Himarë.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi ka thënë se nuk është përgjegjësi e KQZ-së privimi nga e drejta për të votuar për 6 mijë votues për shkak të kartave të identitetit të skaduara.
“Nuk është përgjegjësi e KQZ-së privimi nga e drejta për të votuar për 6000 votues për shkak të ID të skaduara. Një zgjedhës që shkon për të votuar, do të duhet të shikojë dokumentin e identifikimit. Ti po shkon dhe gjëja e parë identifikon se e ke apo nuk e ke mjetin e identifikimit. Votuesit do të duhet të respektojnë kërkesat e ligjit”.
Ai theksoi se nuk ka pasur një kërkesë zyrtare nga ana e partive politike që KQZ të komunikonte me përfaqësues të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme që të lëshohej një urdhër për zgjidhjen e kësaj problematike, siç ndodhi në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Më tej, Celibashi ka thënë se në përgjithësi procesi ka shkuar qetë, teksa ka evidentuar dhe 2 raste ku ka pasur problematika.
“Në përgjithësi, procesi ka shkuar qetë. Ka pasur raste ku janë evidentuar problematika. Ne kemi raportime për një qendër ku ka pasur persona të paautorizuar dhe mbanin shënim personat që hynin për të votuar. Kanë ndërhyrë komisionerët dhe kjo situatë është zgjedhur. Një incident në Lukovë me përfaqësues të mediave që nuk janë lejuar të hynin në qendrat e votimit. Në Shqipëri është e lejuar. Nëse ndonjëri nga komisionerët nuk ndihet komod, i lirë të lërë detyrën. Nëse komisionerët mbajnë këtë qëndrim, do të thotë se kanë llogaritur dhe pasojat”, – theksoi Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




