Politike

Pezullohet përkohësisht votimi në Himarë Fshat, shkak problemet me kartat e skaduara

Gazeta Si – Komisionerët zgjedhorë kanë pezulluar procesin e votimit në Himarë Fshat. Kjo pasi qytetarët kanë shkuar për të votuar me karta identiteti i skaduara, ndërkohë që ligji nuk e lejon këtë. Por komisionerët, e kanë pezulluar votimin deri në një moment të dytë, deri sa të vendosë KQZ.

Sipas kryetarit të qendrës së votimit, njerëzit këmbëngulin të votojnë edhe pse me karta të skaduara, ndërkohë që ligji nuk e lejon këtë gjë. Kjo ka bërë që të ketë një ngërç në qendrën e votimit.

“Në Himarë Fshat ka shumë persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë që të votojnë, ndërkohë që ligji nuk e lejon. Nga kjo çështje është krijuar një konfuz ku kemi njoftuar KQZ që të vijë dhe të zgjidhë këtë ngërçin. Për momentin është pezulluar votimi, e po presim zgjidhjen në vazhdim. Ligji e thotë qartë që me kartat e skaduara nuk mund të votojë asnjë person. Edhe pasaporta të mos ketë skaduar si afat. Komisionerët në bazë të ligjit kanë të drejtë për ta pezulluar për të zgjidhur çështjen”, – tha kryetari i qendrës së votimit Himarë Fshat.

Në këto zgjedhje ministria e brendshme nuk ka nxjerrë urdhër për shtyrjen e afatit të kartave të ID, sikurse në zgjedhjet e mëparshme. Sipas sekretarit të KZAZ në Himarë, deri tani janë 70 votues që nuk kanë arritur të votojnë për shkak të kartave të ID të skaduara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë