Gazeta Si – Që prej orës 07:00 të mëngjesit ka nisur në Himarë procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetarin e bashkisë.
Rreth 23 mijë zgjedhës do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të diel për të dhënë verdiktin e tyre mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo të socialistëve dhe Petro Gjikuria të opozitës.
Janë 36 qendra votimi, ndërsa qytetarët do të mund të votojnë nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 19 të mbrëmjes.
Ndërkohë, burime nga KZAZ bënjë me dije se deri në orët e mesditës në qendrat e votimit janë paraqitur rreth 200 qytetarë me karta identiteti të skaduara, të cilët nuk janë lejuar të votojnë.
Është raportuar se në disa QV ka pasur debate mes komisionarëve nëse do të lejohen të votojnë apo jo votuesit me karta ID të skaduara, pasi ligji nuk e lejon një gjë të tillë. Komisionerët kanë marrë udhëzime që mos të lejohen të votojnë ata me karta ID të skaduara.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka thënë se nuk është përgjegjësi e KQZ-së privimi nga e drejta për të votuar për 6 mijë votues për shkak të kartave të identitetit të skaduara. Ai theksoi se duhej zgjidhur më parë kjo situatë e papritur, pasi partitë nuk kanë bër asnjë kërkesë zyrtare.
“Janë 6 mijë votues që dokumentet e identifikimit u kanë skaduar. Gati e njëjta shifër votuesish ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara që nuk kishin një ID të vlefshme. Ne e kemi bërë këtë komunikim sa herë ka patur kërkesë nga partitë politike. Nuk e kemi patur zyrtarisht nga partitë politike. E kemi patur në mënyrë informale ditët e fundit, por në fund ngelet një çështje që është jashtë sferës së KQZ-së”.
Sakaq, për shkak të angazhimit të dy kampeve politike dhe diferencës së ngushtë me 19 vota në zgjedhjet e 14 majit të vitit të kaluar, pjesëmarrja pritet të jetë e lartë.
Në zgjedhjet e vitit 2023 bashkinë e fitoi Fredi Beleri nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, me 3840 vota përkundrejt Jorgo Goros së PS-së, i cili fitoi 3821 vota.
Zgjedhjet në Himarë mbahen për shkak të dënimit me 2 vjet burg të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri për blerje votash.
Arrestimi dhe dënimi i tij acaroi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, me Greqinë që kërcënoi edhe me bllokim të procesit të integrimit dhe me kryeministrin Mistsotakis që e futi Belerin në listën deputetëve të Parlamentit Europian.
Arrestimi i tij shkaktoi jo vetëm debat të brendshëm por edhe krisje të marrëdhënieve diplomatike mes Athinës dhe Tiranës zyrtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




