Politike

Kushtetuesja rrëzoi ligjin, Tabaku: Profesionistëve të lirë t’u rikthehen 10 mln eurot  

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku komenton përmes një mesazhi në Facebook se gjatë kohës që ligji shqyrtohej në Kushtetuese, profesionistëve të lirë u janë marrë 10 mln euro të ardhura.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të qartë në lidhje me Taksën antikushtetuese ndaj Profesioneve të Lira. E ka rrëzuar atë!

Mirëpo edhe pse çështja ishte në Gjykatë dhe po shqyrtohej prej saj, qeveria socialiste vazhdonte të dërgonte njoftime Profesionistëve të Lirë për të paguar taksën antikushtetuese dhe atyre që guxonin të mos paguanin pasi po prisnin vendimin e Gjykatës, qeveria socialiste i përmendte kërbaçin e ndëshkimit për një taksë të pandershme që më vonë u rrëzua.

Sot, janë rreth 10 mijë biznese që kanë paguar një taksë që nuk duhej ta paguanin. Buxheti i shtetit ka grumbulluar mbi 10 mln euro të ardhura nga 10 mijë profesionistë të lirë”, thotë ajo.

Sipas saj, të ardhurat janë mbledhur nga një taksë e pandershme dhe antikushtetuese.

“Qeveria do të duhet që të nisë menjëherë procedurat për t’ia rikthyer këto 10 mln euro shtresës së mesme së cilës i është marrë në kundërshtim me Kushtetutën.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është final, i padiskutueshëm. Qeveria shqiptare ka vetëm detyrën që të zbatojë këtë vendim! Nuk mundet në një shtet të së drejtës, në një demokraci perëndimore  të vihen më diskutim vendimet e asnjë gjykate për më tepër asaj kushtetuese.

10 mln euro nuk janë kurrgjë për arkën e shtetit por janë shumëçka për xhepin e shtresës së mesme që është shtylla kurrizore e vendit tonë. Atyre u duhet kthyer ajo që është marrë padrejtësisht dhe pandershmërisht! Vetë nuk e bënë dot kurrë mbështetjen për shtresën e mesme, të paktën të zbatojnë vendimin e gjykatës”, vëren Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë