Politike

PD, akuza se favorizoi marrjen e pronave për familjarët e tij në Vuno, reagon Rama: Do i hedh në gjyq, s’kanë marrë ende çertifikatë pronësie   

Një replikë në distancë ka ndodhur të premten mes kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike lidhur me akuzat e kësaj të fundit se familjarë të Rëmës kanë marrë toka në Vuno të Himarës.

Ivi Kaso doli në një deklaratë për mediat duke akuzuar Ramën se familjarët e tij se kanë grabitur 22.4 hektarë tokë në Vuno.

“3 vjet më parë, më 7 gusht 2021, Artan Lame i Kadastrës dhe ish- kryetari, tashmë i arrestuar i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, dilnin para banorëve të Vunoit për të lajmëruar përfundimin e regjistrimit të pronave. Në listën e përfituesve, ndryshe nga sa pretendon Rama, ishte dhe fisi Koleka, dhe mes tyre Aneta Rama-Koleka; Bëhet fjalë për 22.4 hektarë ose 224 mijë metra katrorë, ku vëllezërit Rama marrin një pjesë jo të vogël. Një pasuri e tillë në atë zone, e painvestuar, përllogaritet me një vlerë 30 milionë euro”, tha Kaso duke sjellë një përmbledhje të këtij procesi.

“Në vitin 2017, Edi Rama dhe trashëgimtarët të tjerë të fisit Koleka, kanë aplikuar të regjistrojnë pronën e tyre në Agjensinë e Trajtimit të Pronave-ATP; ATP e ka refuzuar regjistrimin, në një vendim ende të pazbardhur, por me siguri sepse ka gjetur mangësi në dokumentacion: Mungesa e vendimit të shpronësimit, Mungesa e pozicionimit të saktë (kufijtë) hartografikë të pronës. Në këto kushte trashëgimtarët e familjes Koleka i drejtohen Gjykatës së Apelit Vlorë. Me Vendimin nr.49 dt. 19.03.2019: Ndryshon vendimin nr.504 dt.30.03.2017 të ATP, Njeh pronën prej 22,4 ha dhe bën pozicionimin e saj. Të gjitha Institucionet shtetërore, si ATP, ZRPP-Vlorë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave kanë braktisur gjykimin dhe vetëm Avokatura e Shtetit ka marrë pjesë një herë formalisht; Ndërkohë, nga vitit 2016 deri në 2020, Rama ndërton një kuadër ligjor (2 ligje dhe 7 VKM), gjithë infrastrukturën ligjore për të përfituar pronën në fjalë”, tha Kaso duke cituar edhe vendimet dhe ligjet përkatëse

Kuadri ligjor, sipas Kasos, i mundëson familjes së Edi Ramës trajtimin e kërkesës së tyre për njohje dhe regjistrim në dy aspekte:  Kthimin e pronës në kushtet kur dokumentacioni ligjor nuk ishte i plotë; Detyrimin e ATP-së të vijojë me regjistrimin e pronës pas vendimit të Gjykatës, dhe jo rishqyrtimin e saj siç parashikonte ligji i mëparshëm. Ndërkohë Eno Bozdo që ishte në konferencë me Ivi Kason se për rastin Berisha është përdorur tjetër standard edhe pse ë këtë rast, sipas tij, pa fakte dhe prova.  

Ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

“Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!”, shkruan ai

“Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.

Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone - ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon - nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë.

Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.

Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar!”, shkruan ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë