Para

Banka Botërore 65 mln $ për Shqipërinë: Riformoni shërbimet publike. E-Albania të jetë e aksesueshme nga të gjithë

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Botërore ka ndarë 65 mln dollarë për Shqipërinë, në kuadër të objektivit për përmirësimin e shërbimeve qeveritare dhe përfshirjen e të gjithë qytetarëve.

Në një analizë, Banka Botërore thotë se ndonëse Shqipëria është treguar elastike, mbetet ende e dobët dhe vulnerabël ndaj goditjeve. Një ndër pikat ku Shqipëria po tenton të progresojë është ajo e shërbimeve publike dhe tashmë më shumë se 1.2 mijë shërbime ofrohen online.

Por Shqipëria ka nevojë për ndryshime specifike në sektorin publik për të arritur qëllimin, thekson BB.  

Shërbimet publike duhet të riformohen që të jenë edhe më miqësore me përdoruesit. Shërbime specifike kanë nevojë për ndryshime dhe për t’u bërë më të aksesueshme. Shërbimet digjitale duhet të përmirësohen bazuar në standarde të reja të teknologjisë.

BB sugjeron ridizajnimin e portalit e-Albania dhe shtimin e opsioneve për përdoruesit, si dhe përshtatjen e portalit për përdorim në celular.

Ka ende ndarje “sociale” dhe “digjitale” midis grupeve socio-ekonomike, sidomos në vendet rurale.

Pjesëtarë të shoqërisë kanë aftësi ndryshe, probleme të analfabetizmit apo akses të kufizuar në internet. Kjo pengon përdorimin e shërbimeve digjitale për to dhe kanë nevojë për asistencë të dedikuar.

“Sektori publik më i ri dhe risitë teknologjike mund të shfrytëzohen më tej. Teknologjitë digjitale po evoluojnë vazhdimisht. Në të ardhmen, Shqipëria – me investimet e duhura – mund të shkojë më tej, madje të tejkalojë mesataret e Bashkimit Europian (BE) në lidhje me aplikimin e teknologjive të reja digjitale. Për shembull, mund të bëhet përparim i mëtejshëm në shfrytëzimin e teknologjive më të fundit, të tilla si inteligjenca artificiale dhe njohja e zërit, për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike”, thotë BB.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë