Politike

PS injoroi Kushtetuesen, Bardhi: Çuçi konsumoi vepër penale, SPAK të marrë masa

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se moszbatimi i Gjykatës Kushtetuese nga grupi i PS është vepër penale ndaj dhe i kërkon SPAK që të marrë masa për kryeministrin Edi Rama dhe kreun e grupit të PS-së, Bledi Çuçi.

Çuçi njoftoi se socialistët nuk do të çojnë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçës.

Për Bardhin, Berisha është në “arrest shtëpie” sepse nuk ka zbatuar një vendim të Gjykatës, dhe i njëjti standard drejtësie duhet të ruhet edhe për Edi Ramën. 

“E çon vendin në kushtet e mosbindjes civile, nëse secili prej nesh e lë në gjykimin e tij nëse do të zbatohet një vendim Gjykate, këtu ka rënë shteti demokratik, sot kryetari i PD mbahet prej më shumë se prej 200 ditësh në arrest se pretendohet se nuk ka zbatuar një vendim gjykate, ndërkohë Rama për t’i ardhur në mbrojtje një shoqeje apo shoku, jo vetëm nuk kanë pasoja të ngjashme, por ia thonë opinionit publik si diçka normale, prokuroria e posaçme të marrë masa, mos zbatimi i një vendimi të gjykatës Kushtetuese është vepër penale, kjo vepër penale është konsumuar nga përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës dhe pres që të ndiqet e njëjti standard, nuk mund të ketë një drejtësi ndryshe për Berishën, dhe një tjetër për Edi Ramën dhe Bledi Cuçin", tha Bardhi.

Një tjetër pikë e rëndësishme është Reforma Zgjedhore, për të cilën Bardhi hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama. Në një kohë kur kreu i grupit të PS-së, Bledi Çuçi foli për një dakordësi me PD-në, Bardhi tha se Rama nuk po lejon realizimin e një reforme kuptimplotë.

“Kemi ndarë në 2 fasha ndryshimin e Kodit Zgjedhore, faza e parë është Reforma Zgjedhore që Rama i bën bllok nuk lejon realizimin e një reformë kuptimplotë, siç thotë OSBE ODIHR, që do duhet të përfshijë zbatimin e përpiktë të rekomandimeve të OSBE-ODIH dhe faza e dytë është ajo e zbatimit të vendimeve të detyrueshme të Gjykatës Kushtetuese. Ka 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë krijuar boshllëk në Kodin Zgjedhor, që është vota jashtë territorit të Shqipërisë dhe shpërndarja e mandateve, ne kemi shprehur gatishmërinë e plotë të ndërmarrim iniciativën që të plotësohet boshllëku i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë