Gazeta Si- Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, e cila liroi nga qelia Florenc Çapjan, të akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-policit Fadil Mema në Elbasan në vitin 2006 (i ekzekutuar më pas në Itali në vitin 2015).
Trupa e gjykimit, e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni shqyrtuan rekursin e prokurorisë, që kundërshtonte pushimin e çështjes ndaj Florenc Çapjas të dhënë nga gjyqtari Tomor Kullolli më 20 nëntor 2019.
Vendimin për pushimin e çështjes e kishte dhënë fillimisht Gjykata e Elbasanit, vendim që u la më pas në fuqi edhe nga Apeli i Durrësit. Por vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë, urdhëron rigjykimin për Florenc Çapjan për këtë çështje.
Florenc Çapja është aktualisht i shpallur në kërkim ndërkombëtar pas hetimeve të SPAK që kërkon dënimin e tij me 25 vite burg për një tjetër ngjarje, për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqirit, në Elbasan në vitin 2012.
Në atë kohë, prokuroria ngriti akuzat “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, ndaj Çapjas. Bëhet fjalë për një atentat që i është bërë Fadil Memës në vitin 2006.
Pasi u pushua çështja ndaj tij në 2019, Çapja u lirua nga qelia dhe nuk ndodhet më në Shqipëri. Ai dyshohet se fshihet në Dubai, një vend ku strehohen kriminelët dhe shumë i vështirë për të arritur marrëveshje ekstradimi.
Vrasja e ish-oficerit të policisë në Itali
Fadil Mema, ish-oficer i Policisë së Shtetit u vra në mars të vitit 2015 në Itali. 54-vjeçari, i cili prej kohësh punonte si shpërndarës gazetash u ekzekutua me gjashtë plumba pistole në sytë e bashkëshortes.
Dyshimet për këtë vrasje ranë mbi familje Çapja. Kjo pasi Memës, i cili ishte bërë atentat dhe në vitin 2006 kur ishte efektiv i Policisë Rrugore. Ai u qëllua në qytetin e Elbasanit dhe për këtë në atë kohë policia tha se kishte identifikuar si autor Florenc Çapjen.
Ngjarja ndodhi në prani të familjarëve të efektivit të policisë, të cilët identifikuan edhe autorin. Fadil Mema u dërgua në spital dhe u mbijetoi plagëve të marra, ndërsa Florenc Çapja, dy orë pas ngjarjes, u prangos nga policia.
Florenc Çapja, nipi i Sokol Çapes, që sapo ishte kthyer nga Zvicra edhe pse i dyshuar kryesor, prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Familja Çapja akuzonte Memën si organizator të atentatit me Sokol Çapjen, pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokolin. Të dyja familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Disa kohë më pas u ekzekutua në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi.
33-vjeçari Sokol Çapja u ekzekutua në një atentat mafioz në vitin 2005 pranë hotel “Univers”, objekt në pronësi të viktimës. Sokol Çapja ishte një emër i njohur për policinë dhe organet e drejtësisë, ndërsa pati dyshime se në vrasje ishte i përfshirë edhe ish-efektivi i policisë, Fadil Mema.
Vrasje e biznesmenit me arrest shtëpie
Në gusht të vitit 2012, Gentian Beqiri u ekzekutua në banesën e tij ndërsa ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Edhe pse ai ndodhej nën vëzhgimin e dy punonjësve të policisë, atentatorët arritën ta ekzutonin. Policia identifikoi si autor të ngjarjes Florenc Çapjen, i cili ishte në hasmëri me Gentianin.
Çapja arriti t’i shpëtonte Drejtësisë me pretendimin se ditën e ngjarjes kishte qenë në Ohër, gjë e cila vërtetohej dhe sistemi elektronik kufitar TIMS.
Por, më pas rezultoi se vula ishte e falsifikuar. Vula në pasaportën e Çapjes u dërgua në laborator për ekspertim dhe sipas SHKB-së ekspertimi ka vërtetuar falsitetin e vulës.
Një tjetër fakti ishte se, pas kërkesës për pamjet filmike nga kamerat e sigurisë rezultoi se “sistemi i kamerave ishte shkëputur për disa orë në për shkak të një defekti dhe pamje nuk disponohen”. Pavarësisht të gjitha këtyre, Çapja nuk morë dënim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.