Rend dhe Ligj

Plani për vrasjen e vëllezërve Bami dhe takimi i fundit me Martinajn. Arrestohet Astrit Avdylaj, ‘Niçja'(Video)

Nga Gazeta 'SI' - “Niçja” i Shijakut ka rënë përsëri në prangat e Policisë, pas shpalljes në kërkim, si pjesë e dosjes "Revanshi".

Astrit Avdylaj, i cilësuar si “truri” i grupit kriminal të Shijakut, është arrestuar në banesën e tij, pas një muaji në kërkim. Në momentin e arrestimit, atij i është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë e cila ishte pa leje. I dyshuari nuk ka bërë rezistencë ndaj bluve, teksa u deklarua i pafajshëm.

Avdylaj u shpall në kërkim pas akuzave të SPAK, si sigurues i personave që do të vrisnin vëllezërit Valter dhe Durim Bami. Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Astrit Avdylaj ka angazhuar Arben Mërkurin dhe Aldo Avdylajn për të realizuar vrasjen, për llogari të Arben Ndokës.

Niçja thuhet se është personi i fundit që ka takuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, pak ditë para se të zhdukej nga qarkullimi. Atëkohë, ai ka qenë një ndër të pyeturit e Prokurorisë për fatin e "mbretit" të bixhozit.

Avdylaj u lira nga qelia verën e 2021-shit duke pranuar masën e “arrestit në shtëpi”, në kuadër të dosjes “Vol-vo4”, ku i prangosuri rezultonte si njeriu kryesor i përfshirë në laboratorin e heroinës në Has, zbuluar në vitin 2018.

Atëherë, media gjermane “Bild”, publikoi disa përgjime ku Avdylaj dilte si bashkëpunëtor kryesor i Vangjush Dakos, ish-kryebashkiakut të Durrësit, në fushatën elektorale të 2017-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë