Menaxhim

Natyra e veçantë e punës dhe gara me privatin, AKSHI kërkon shtesë page deri në 500 mijë lekë për punonjësit

Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, ka nxjerrë për konsultim një draft ku propozon riformatimin e pagave në këtë institucion, për të konkurruar tregun privat.

AKSHI, për të rritur performancën e fushës së informacionit, kërkon që sipas natyrës së punës, stafi të përfitojë deri në 500 mijë lekë shtesë mbi pagën, duke u bërë kështu edhe më tërheqës për të rinjtë.

Masa e shtesës për natyrë të veçantë për secilën kategori përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 “Është parashikuar edhe përfitimi i një shtese për natyrë të veçantë pune çdo muaj. Ky parashikim vjen si rezultat i vështirësive të vazhdueshme që AKSHI has në lidhje me rekrutimin e stafit për shkak të pagave të kufizuara, të cilat nuk janë në nivelin e pagave që ofron tregu për këto detyra dhe funksione specifike. Sqarojmë se, pagat e punonjësve që përmbushin funksione të tilla specifike në fushën e teknologjisë së informacionit, janë relativisht të larta në treg. AKSHI aktualisht për shkak të kuadrit ligjor ekzistues, has pengesa për rekrutimin e ekspertëve më të mirë. Pra mungon një skemë atraktive pagash që të sigurojë përthithjen e nevojshme të ekspertizës së burimeve njerëzore dhe më tej qëndrueshmërinë e tyre në Agjenci” thuhet në relacion.

Pak kohë më parë, vetë kryeministri Edi Rama u shpreh se me rritjen e pagave në shtet synohet pikërisht konkurrimi i privatit. Teknologjia dhe informacioni dominojnë tregun e pagave në Shqipëri, ndikuar dhe nga ndërhyrja e kompanive të huajave, që paguajnë disafish më shumë se ato shqiptare.

Drafti i rishikuar i ligjit i nxjerrë tashmë për konsultim parashikon gjithashtu ofrimin e shërbimit të nënshkrimit elektronik për shtetasit shqiptar dhe të huaj, ndryshim ky i cili sjell risi të shumta për qytetarët, duke përfshirë lehtësimin e procedurave administrative, reduktimin e nevojës për printim dhe dorëzim fizik të dokumenteve dhe sigurimin e një mënyre të sigurt dhe më të lehtë për të firmosur dokumentet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë