Arsim

Zgjedhjet në universitetet publike / Majlinda Keta: Po ndërpritet mandati në mënyrë arbitrare, profesorati dhe studentët kompromis në heshtje me qeverinë

Nga Gazeta Si- Pedagogia e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe ish Kryetare e Komisionit institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës në vitin 2016 dhe 2020, Majlinda Keta  i kërkon ministrisë së Arsimit të rishikojë datën e zgjedhjeve në universitetet publike, e cila sipas saj cënon autonominë universitare. Në një intervistë për Gazetasi.al, pedagogia e degës së filozofisë në Universitetin e Tiranës, thotë se më shumë se kjo shkelje e ligjit, e tremb apatizmi akademik, heshtja që ka përfshirë profesorë dhe studentë.

Po ashtu, në intervistë, pedagogia Keta kërkon që figurat kandidate për rektorë e dekanë në universitete ti nënshtrohen procesit të VETTING, pasi janë konstatuar raste të korrupsionit pas marrjes së detyrës. Sipas Ketës, shtimi i punësimeve në vitin e fundit apo edhe gjatë 6 mujorit prej datës së zgjedhjeve janë fenomene të korruptimit të votës për trupat zgjedhore.

"Mjafton të shihni përbërjet e komisioneve të punësimit dhe më pas listat e garuesve dhe kuptohet korruptimi.  Vetingu mbi kandidatët garues do të ishte një element pozitiv", thotë ajo për Gazetasi.al.

21 Qershori 2024 është shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu, si data e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese. Këto janë të pestat në radhë qysh nga 2008 kur u vendos ky mekanizëm zgjedhor për drejtuesit dhe organet drejtuese në universitetet publike në vend. Ndërkohë, ju si një ish Kryetare e Komisionit institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës në vitin 2016 dhe 2020,  në një nga intervistat tuaja, i jeni drejtuar për ta rishikuar edhe njëherë këtë datë. Pse duhet rishikuar?

Majlinda Keta: Zgjedhjet për autoritetet (Rektor, Dekan, Përgjegjës departamenti)  dhe organet drejtuese (senati akademik) janë ngjarja më e madhe e demokracisë funksionale dhe përfaqësuese në universitetet publike. Përfshirë edhe këto të pritshmet ku ne tashmë po përdorim në të tretën herë pas Ligit të Arsimit të Lartë në 2015, cilësinë e demokracisë elektorale si pjesë themeltare e asaj universitare në përgjithësi.  I pari detyrim i vendimarrësit për datën zgjedhore për autoritetet dhe organet drejtuese akademike, Ministër apo Senat qoftë, është respektimi i Ligjit për AL i cili në Nenin 131, pika 1 shprehet se  ato “…zhvillohen në PËRFUNDIM të mandatit të autoriteteve dhe organeve ekzistuese….”.

Data e zgjedhjeve të fundit ka qenë 30 Korrik 2020 dhe në referencë të saj askush nuk ka të drejtën të ndërpresë mandatet e të zgjedhurve ndërsa ka caktuar 21 qershorin 2024. Referuar 3 palë zgjedhjeve më parë se 2020 ne kemi një praktikë të tejkalimit të datës ekzakte kur janë shpallur zgjedhjet, kështu në 2012 në raport me 2008 është tejkaluar 45 ditë, nga 9 janar 2008 dhe më pas 23 shkurt 2012; në 2016 janë tejkaluar 56 ditë,  23 shkurt 2012 në 20Prill 2016; në 2020, edhe për arsye të pandemisë,  janë tejkaluar 101 ditë, 20 prill 2016 në 30 korrik 2020. Mbi çfarë të drejte, pse dhe për çfarë arsye u  ndërprenë mandatet dhe pse duhej të krijohej ky precedent? Përtej “gabimit” të një shkrese Ministri, mua më shqetëson heshtja e Senateve, Rektorëve, Dekanëve, Përgjegjësave të Deparatmenteve, por edhe nga vetë strukturat e zgjedhura studentore që në senate kanë përfqësuesit e tyre senator.

Ky është një alarm për dinjitetin institucional, për aftësitë ligjzbatuese të Senateve, Komisioneve institucionale Zgjedhore dhe përgjegjësinë elektorale të të zgjedhurve ndaj votuesit. Zgjedhjet në universitetet publike janë thelbësore, përtej dhe mbi një çështje date është respektimi gërmë më gërmë i ligjit dhe i frymës së Ligjit si proces bazuar në institucione.

 Apatizmi akademik për një shkelje të tillë më tremb shumë,  për vetë cilësinë e AL publik.

Pse jeni kritike për vendimarrjen e datës nga Ministria? Cfarë prisnit ju përtej datës nga Ministrja e MAS?

Majlinda Keta: Ne, universiteteve, na pëlqen shumë të flasim për autonomi, liri akademike etj etj dhe jo rrallë e adresojmë kërkesën për zgjidhje drejt pushtetit ministror pa kuptuar as autonominë. E njeh edhe bota akademike në shtetet ku aplikohet ky mekanizëm zgjedhor për zgjedhjet e autoriteteve drejtuese universitare fenomenin që qeveritë tentojnë të kenë kontroll mbi zgjedhjet dhe të zgjedhurit në universitetet publike. I takon vetë universiteteve që në rregulloret zgjedhore të mos korruptojnë përmbajtësinë dhe procedurat kushtetuese të AL dhe procesit zgjedhor në të.

Qysh nga LAL i 2015 rregulloret janë përmirësuar por me shumë standarde lejojnë ende korrupsionin elektoral. Ministrja, në zbatim të Nenit 131,  mund te përcaktonte muajin zgjedhor, siguronte dhe garantonte përputhjen në ligjshmëri të Rregullores Zgjedhore dhe kornizën monitoruese të procesit. Senatet Akademike të merrnin fuqinë duke vënë në efiçencë komisionin Institucional të Zgjedhjeve dhe asambletë e fakulteteve duke larguar kështu rolin e ‘njishave rektorë’. Unë pres dhe pretendoj nga institucionalizmi funksional elektoral i vetë universiteteve. Unë pres dhe luftoj nga ‘VETJA’ institucionale universitare publike. Unë kërkoj dhe pres nga fryma ligjzbatuese e çdo të zgjedhuri nga vota akademike dhe studentore.

Kështu, ne mund të kishim kryer metamorfozën tonë zhvilluese, demokratike me kah drejt vendimarrjeve të Senateve për datën zgjedhore, kjo qasur kontekstit të çdo institucioni universitar publik. Senati, bazuar në analiza profesionistësh rivlerëson të paktën 6 muaj para përfundimit të mandateve të të zgjedhurve Rregulloren e Zgjedhjeve pasi ka reflektuar në përmbajtje rregullatorin juridik të nevojshëm nga problematikat e proceseve zgjedhore të mëparshme dhe standardet etike të detyrueshme që njësitë nën varësi, komisionet vendimarrëse për tituj, grada, punëmarrje etj duhet të kishin ndalesën e tyre .

Ky moment kohor duhet të detyrojë Senatet dhe Rektorët të shprehen dhe raportojnë tek Ministria mbi gatishmërinë institucionale dhe ky i fundit jep vendimin pasi shqyrton të gjitha propozimet  për periudhën kohore (15 ditë apo 1 muaj)   që Universitetet Publike mund të vendosin datën zgjedhore. Ministria garanton ligjshmërinë, parimet elektorale për trupat zgjedhore akademike dhe studentore si dhe procesin monitorues në respektim të Rregullores e Ligjit. Në gjykimin tim ky do të ishte një ‘momentum demokratik’ zhvillues pas mbi 15 vjet prej 2008-ës kur u zhvilluan zgjedhjet e para por edhe afro 10 vjet nga LAL 2015, kjo si një kontribut  për misionin, demokracinë universitare dhe raportin Qeveri Universitete publike.

Korrupsioni elektoral  është një fenomen i zgjedhjeve nga politika shqiptare aq shumë i denoncuar edhe nga ndërkombëtarët e specializuar, nga shqetësimet tuaja a mund të flasim apo ta dallojmë atë në zgjedhjet nga universitetet publike?

Majlinda Keta: Padyshim që kudo që ka një luftë për zotërim pushteti dhe përfitim prej tij ka edhe mundësi dhe zhvillohet korrupsion, me veprimin dhe mosveprimin për ta frenuar dhe mbajtur nën kontroll atë.

Kjo vlen edhe për universitetet dhe pushtetet që jepen nga ky proces zgjedhor.  Në Rregulloren e Zgjedhjeve të UT-ës, por jo vetëm, ne kemi patur nevojë të shpreheshim juridikisht ende për konfliktin e interesit dhe monopolizimin e vendimarrjeve të rëndësishme në duart e disa njerëzve që kthehen në klane rektorësh dhe dekanësh duke amortizuar dhe defaktorizuar energjite intelektuale dhe frymën zhvillimore të stafeve akademike.

Në përfundim të zgjedhjeve të 2020, në takime institucionale me rektorin dhe në media unë kam shprehur dhe kam kërkuar që duhet normuar juridikisht në rregullore fakti që mund të votohet për një person vetëm për një pozicion të zgjedhuri dhe jo dy pasi kjo korrupton vendimarrjen. Kështu ne kemi jo pak raste  në UT-ës që është votuar për personin edhe si drejtues departamenti edhe si anëtar senati, kjo kryesisht në departamente që kanë epërsi numerike votash në raport me të tjerët.

Mjafton një studim i vogël se sa kanë përfituar në këto 4 vite në karrierë akademike dhe përfitime të çdo lloji këto lloj profilesh. Kjo nuk përjashton precedente edhe të tejkalimit të plotësimit të kushteve të përcaktuara për t’u përmbushur pikërisht për ato lloj  “yes-dorë e ngritur” kur i duhet autoritetit epror. Mendoj që ka ardhur koha që universitetet publike t’i godasin fort këto fenomene me fuqizim të auditit të brendshëm që edhe këto objektiva duhet t’i ketë për sa kohë përfitimi ka edhe efekt financiar. Mjafton të shihet se kur i kanë marrë gradat dhe titujt ato që do të jenë kandidatë konkurues dhe të konkludosh nëse këto kanë shkelur kriterin etik që në 6 muajt e fundit të mos ketë “përshpejtime” të tilla për të preferuarit e radhës.

Shtimi i punësimeve në vitin e fundit apo edhe gjatë 6 mujorit prej datës së zgjedhjeve janë fenomene të korruptimit të votës për trupat zgjedhore. Mjafton të shihni përbërjet e komisioneve të punësimit dhe më pas listat e garuesve dhe kuptohet korruptimi. 

Vetingu mbi kandidat garuesit do të ishte një element pozitiv për standardet etike elektorale. Prisja edhe zhvillime të ushtrimit të votës elektronike sidomos për studentët, kjo për të rritur nivelin e pjesëmarrjes së tyre dhe ndikimin e votës së tyre në të  zgjedhurit fitues. Prisja që viti i fundit të ishte vit i transparencës për atë që bënë dhe nuk mundën të bënin nga ato që premtuan të zgjedhurit e çdo niveli dhe ekipet që ndërtuan se vota jonë i shpalli autoritet.

Asnjë llogaridhënie dhe asnjë transparencë mbi 2 apo 1 mandat të konsumuar nuk po ndjej në fakultetin ku jam por përmes faqeve elektronike edhe në fakultete të tjera. Kjo edhe për universitetet e tjera publike.

Ku nuk ka llogaridhënie nuk mund të ketë moral autoriteti dhe udhëheqësie e për më tepër të drejtë për të rikërkuar votën sikurse ka prirje të spikatura për korrupsion. Korrupsioni në universitete është shumëdimensional por në prag të vitit të fundit të mandatit 4 vjeçar ai pasurohet shumë në vendimarrje tipike për korruptim të procesit elektoral dhe përfitim të klaneve të caktuara edhe në universitete. Këtu ndikon nga institucionalizimi i dobët universitar, mediokriteti i udhëheqësisë universitare, ndikimi i politikës, mungesa e kontrollit dhe monitorimit nga Ministria sikurse edhe nga aktorë e faktorë që duan degradimin e universiteteve publike.

Po më duket se i harrove studentët ndërkohë janë ato që me votën e tyre ndikojnë në zgjedhjen e Rektorit dhe Dekanit. Si paraqiten ato në gatishmërinë e tyre elektorale?

Majlinda Keta: Nuk i harrova por e fillova nga vetja, si pjesë e trupës akademike zgjedhore, pasi kur procesi korruptohet nga trupat akademike dhe autoritetet dhe institucionet e zgjedhura prej tyre çfarë mund të pretendosh nga studentët? Aty ku korruptohet modeli akademik, njësoj është edhe ai studentor. Heshtën edhe senatorët përfaqësues të studentëve në Senat si pedagogët e tyre, heshtin edhe ato në llogaridhënien për mandatet e konsumuara.

Por mbi të gjitha ata po heshtin ndaj një përjashtimi si pjesë e trupës zgjedhore studentore të një komuniteti tepër të madh siç janë studentët rrishtarë, ato të viteve të para bachelor të cilët përbëjnë një masë të konsiderueshme të votuesve që do të konsumojnë 4 vjet pushtetin nga të zgjedhurit që pretendohet të dalin nga 21 qershori 2024. Pra, për të zgjedhurit 2024-2028 do të votojnë studentët e vitit të dytë “Master” që në fund të shtatorit i shkëpusin marrëdhëniet me universitetin dhe nga ana tjetër përjashtohen nga mundësia ato që 4 vite të studimeve do përfitojnë ose humbasin nga cilësia e të zgjedhurve.

Kjo është e patolerueshme dhe në peshë është e njëjtë me shkeljen e nenit 131, pika 1, të LAL 2015. Këtu ka rënë çdo moral i datës, procesit dhe rezultatit ndaj unë sërish besoj se data do të rishihet nga MAS pse jo edhe nga Kryeministri. Ende besoj se atë që humbëm ne si akademi dhe të zgjedhurit tanë në moralin ndaj votës dhe procesit zgjedhor nga papërgjegjshmëria jonë le ta kërkojë të ridimensionohet nga një vendim tjetër nga Ministrja Manastirliu.

Ndërsa u shkua tek Pakti për Universitetin pas protestave studentore 2018 diskutoi edhe për rritjen e peshës së votës studentore në zgjedhjet e autoriteteve dhe organeve drejtuese akademike ndërsa kjo vendimarrje e nxituar krijon precedentin e përjshtimit të një trupe zgjedhore të konsiderueshme siç janë studentët e viteve të para.

Referuar përvojës tuaj të krijuar nga menaxhimi i zgjedhjeve jo fort të lehta në  2016 dhe 2020 në Universitetin e Tiranës, kur propozoni ju që të zhvillohen zgjedhjet?

Majlinda Keta: E drejta lind edhe një ditë pas përfundimit të afatit të mandatit 4 vjeçar të të zgjedhurve, 31 korriku 2024. Por qënia në periudhë pushimesh të trupës zgjedhore akademike dhe studentore por mbi të gjitha me detyrimin për siguri dhe respektim të të gjithë standardeve elektorale, do të thoja se në fillim të nëntorit do të ishte më e mira.

Deri më atëherë, Ministri mund të ushtrojë kompetencat për garantimin e çdo standardi zgjedhor, Senatet të detyrojnë fushatat e llogaridhënies të çdo autoriteti të zgjedhur dhe trupave drejtuese që bashkëngjitën, si ekip, Komisionet Institucionale Zgjedhore të përmbushin detyrimin ndaj standardeve etike, antikorruptive të kondidatëve dhe procesit dhe ndërkohë gati 10 vite pas Ligjit të mos guxojmë t’i bashkëngjisim precedentin e shkeljes së tij.

Unë kam qenë një zë kritik për disa trajtesa të LAL 2015 por është e pafalshme që ato që firmosën dhe dhanë garanci  për LAL 2015 kur ja dërguan për votim ligjbërësit shqiptar t’a shkelin në mënyrë flagrante. Ka ardhur koha që universitetet të tregojnë me vepra se janë larg korrupsionit elektoral. Ne mundemi të gjithë, si universitete publike, të tregojmë përgjegjësinë tonë, intelektualizmin dhe etikën tonë ndaj demokracisë elektorale universitare, trupës akademike dhe trupës studentore zgjedhore. Këtë e besoj. Në të kundërt  i shërbëjmë degradimit të universiteteve publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë