Nga Gazeta ‘SI’- Shqipëria po përballet me një rrudhje të vazhdueshme të numrit të nxënësve në bankat e shkollave parauniversitare, ndërsa universitetet po shënojnë një rritje të lehtë të diplomimeve, të udhëhequra masivisht nga vajzat.
Sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave, në të gjitha nivelet e arsimit zyrtar u diplomuan gjithsej 82.640 nxënës dhe studentë për vitin 2024-2025.
Arsimi Parauniversitar në rënie, profesionali mbetet “tabu” për vajzat
Gjatë vitit shkollor 2024-2025, në arsimin parauniversitar u diplomuan 53.701 nxënës, duke shënuar një rënie prej 1.5% krahasuar me vitin e kaluar. Ky trend tregon qartë tkurrjen që po pëson sistemi arsimor bazë dhe i mesëm në vend.
Në arsimin 9-vjeçar këtë nivel u diplomuan 27.682 nxënës (rënie prej 0.1% ndaj vitit të kaluar).
Arsimi i mesëm i lartë pësoi rënien më të fortë me 3%, ku u diplomuan gjithsej 25.925 nxënës. Vajzat përbëjnë shumicën në shkollat e mesme të përgjithshme (gjimnazet) me 51.3%.
Nga ana tjetër, vetëm 12.3% e të mesmes u diplomuan në shkolla profesionale. Për më tepër, ky sektor mbetet i dominuar pothuajse tërësisht nga djemtë: vajzat përbëjnë vetëm 15.7% të të diplomuarve në arsimin profesional, ndërsa djemtë zënë 84% të këtij profili.
Universitetet në rritje: Vajzat dominojnë arsimin e lartë
Ndryshe nga shkollat, arsimi universitar ka shënuar një rritje prej 2.6% të studentëve të diplomuar, duke arritur në një total prej 28.939 personash për vitin akademik 2024-2025.
Shpërndarja sipas programeve tregon se gjysma e tyre (50,6%) përfunduan ciklin Bachelor, ndërsa 43,4% u diplomuan në Master. Rreth dy të tretat e studentëve (66,6%) i kryen studimet në universitetet publike. 65.3% e të gjithë studentëve të diplomuar në Shqipëri janë femra.
Biznes, administrim dhe ligj, mbeten fushat më të preferuara, ku u diplomuan 23.3% e të gjithë studentëve. Ndarja gjinore këtu është thuajse e barabartë (25% femra dhe 21% meshkuj).
Shëndeti është e dyta me 22,4% të të diplomuarve, e dominuar masivisht nga vajzat (28% femra përkundrejt 13% meshkujve).
Inxhinieri, prodhim dhe ndërtimi, z ë vendin e tretë me 14%.
Në fund të listës së preferencave të studentëve shqiptarë mbeten fushat jetike si Bujqësia, pyjet, peshkimi dhe veterinaria me vetëm rreth 2%-3% të të diplomuarve, si dhe Shkencat natyrore, matematika dhe statistika me vetëm 1% deri në 2%.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje