Nga Gazeta Si- Tualetet dhe pajisjet e tyre në shkollat dhe universitetet shqiptare janë në gjendje të rënduar ndërkohë që mungojnë uji i rrjedhshëm dhe aty ku ka, mungon uji i ngrohtë.
Këto janë disa nga gjetjet e Inspektoriatit shtetëror shëndetësor në inspektimet e bëra në 2025.
Janë 3,892 inspektime dhe ri-inspektime të kryera në institucionet parashkollore, shkollore, të arsimit të lartë, si dhe në konvikte e mensa të tyre.
Janë vendosur edhe masa administrative, përfshirë 4 gjoba, 3 vendime për mbyllje provizore dhe 337 paralajmërime ndaj subjekteve të ndryshme.
Gjetjet tregojnë një situatë të vazhdueshme problematike në institucionet arsimore, ku përveç gjendjes së rënduar të anekseve hidro-sanitare, janë konstatuar edhe mungesa të dokumentacionit të detyrueshëm higjieno-sanitar për subjektet dhe personelin, duke reflektuar mangësi në zbatimin e standardeve bazë.
Probleme të theksuara janë evidentuar edhe në infrastrukturë, me ndërtesa të amortizuara, prani lagështie në ambiente të brendshme dhe dëmtime të bazës materiale mësimore, përfshirë banka dhe karrige të dëmtuara apo të papërshtatshme për përdorim.
Po ashtu, në disa institucione janë konstatuar mungesa në furnizimin me ujë të rrjedhshëm dhe ujë të ngrohtë, si dhe probleme me hidroizolimin e tarracave dhe mungesë të rrethimit të sigurisë.
Në institucionet parashkollore mbetet shqetësuese edhe mosplotësimi i dokumentacionit shëndetësor në dosjet e fëmijëve, (vërtetimeve të vaksinimit dhe analizave të koprokulturës).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje