1 Maji, ose Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, shërben si një ditë përkujtimi të luftërave historike të bëra nga punëtorët për të siguruar të drejta, liri, pushim dhe kushte më të mira pune.
Slogani i “Tetë orë punë, tetë orë dëfrim, tetë orë gjumë” kërkesa më e famshme, e cila më vonë u njoh ndërkombëtarisht, i atribuohet lëvizjeve sociale në Australi më 21 prill 1856.

Pothuajse 30 vite më vonë, më 1 maj 1886, në një kontinent tjetër, rreth 350 mijë punëtorë u mblodhën në Çikago për të kërkuar të drejtat e tyre të pushimit dhe tetë-orarëshit të punës. Dy ditë më vonë policia hapi zjarr ndaj protestuesve, duke e përshkallëzuar situatën në dhunë dhe rebelime.
Punëtorët triumfuan
Ata fituan të drejtën e për pushim, kushte më të mira pune, barazi para sistemit gjyqësor, përfitime sociale dhe, asokohe u sigurua edhe liria e medias.
Para protestave të 1 majit, ishte plotësisht e pranueshme që punëtorët të qëndronin më shumë se 16 orë në punë, në kushte mizërie dhe duke rrezikuar jetën, për një pagë shumë të vogël.
S rezultat i këtyre protestave të përgjakshme në Çikago, në vitin 1889, një federatë ndërkombëtare e grupeve socialiste dhe sindikatave caktoi 1 majin si një ditë në mbështetje të shtresës punëtore.
1 maji në Evropë
Në vitin 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel e shpalli ditën 1 maj si Festën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Në këtë ditë kremtohen liritë, të drejtat dhe fuqia e përbashkët e punëtorëve.
Edhe udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik e përqafuan festën e re, me shpresën se do të inkurajonte punëtorët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të bashkohen kundër kapitalizmit.
1 maji u kthye një festë e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e bllokut Lindor, me parada të profilit të lartë.

Në Gjermani, Dita e Punës u bë festë zyrtare në vitin 1933, pas ngritjes së Partisë Naziste.
Ironia në Gjermani ishte se, një ditë pas vendosjes së festës, qeveria naziste shfuqizoi sindikatat e lira, praktikisht duke shkatërruar lëvizjen gjermane të punës.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe rënien e qeverive komuniste në Evropën Lindore edhe festimet e shoqëruara me këngë dhe koncerte u zbehën.
Megjithatë, edhe sot, në vitin 2024, në dhjetëra vende të botës, 1 Maji është shpallur festë zyrtare dhe shërben si rast për demonstrata dhe tubime në mbështetje të punëtorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



