Gazeta Si - Gola, emocione dhe polemika në ‘Bernabeu’, ku Spanja dhe Brazili barazuan 3-3 në miqësore. Pjesa e parë ishte një monolog i spanjollëve, që zhbllokuan ndeshjen me një penallti të Rodrit, pas një simulimi të Jamal. Spanja dyfishoi në minutën e 36-të me një magji të Dani Olmos.
Unai Simon pak minuta më pas gaboi dhe Rodrigo me një parabël rihapi ndeshjen. Trajneri Dorival futi në lojë Endrik, që në minutën e 50-të u prezantua me tifozët e tij të ardhshëm me golin e barazimit 2-2.
Finalja e ndeshjes ishte edhe më emocionuese. Sërish Rodri me penallti kaloi Spanjën në avantazh, pas një faulli të dyshimtë ndaj Karvajal. Në shtesë mbrojtësi i Realit pengoi Galenon në zonë dhe Pakueta nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë për të vulosur rezultatin në 3-3.
Në miqësoret e tjera, Franca mundi 3-2 Kilin. Belingham shpëtoi Anglinë nga humbja ndaj Belgjikës, duke barazuar shifrat në mintën e 95-të.
Gjermania mundi 2-1 me përmbysje Holandën. Mjaftuan 4 minuta për të parë golin e parë të ndeshjes. Mitelstadt i jep topin Depait, i cili vrapon në krah dhe pason për Verman, perfekt në gjuajtje. Në minutën e 11-të mbrojtësi i Shtutgartit barazon shifrat me një të majtë të mrekullueshme nga jashtë zonës.
Rastet ishin më të pakta me kalimin e minutave. Skuadra e Nagelsman mori më shumë iniciativë pasi kishte kaluar një orë lojë dhe gjeti golin e fitores 5 minuta para fundit me Fulkrug. Pas Francës, gjermanët kanë mundur edhe Holandën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.