Analize

Pse qeveritë kudo në botë po dështojnë me shtimin e numrit të lindjeve

Nga Gazeta ‘Si’- Ishte një fjalë e zgjedhur, e denjë për thirrjen e dikurshme të Napoleonit:Réarmement démographique. Njoftimi i fundit i presidentit francez Emmanuel Macron për një “riarmatim demografik”, e vuri theksin tek rëndësia e madhe që ka përpjekja për të luftuar rënien drastike të lindjeve.

Në fjalimin e tij të 16 janarit, Macron paralajmëroi mbi të ardhmen e zymtë që e pret një komb që nuk lind mjaftueshëm fëmije, dhe nevojës për ta luftuar rënien e popullsisë me lejet prindërore më të paguara dhe me programe të tjera sociale. Por kriza demografike nuk është një problem i ri.

Shkalla e lindjeve në Francë, është në rënie që nga viti 2014. Mosha e shtatzënisë vazhdon të rritet me zgjerimin e karrierës së grave dhe teknikave kontraceptive. Toni alarmues i Macron është edhe më i dukshëm, ndonëse niveli i lindjeve në Francë është ende më i larti në Evropë, me rreth 1.68 lindje për grua.

Por kjo flet shumë për emergjencën që ekziston në mbarë botën për vendet që kanë rënie demografike. Sepse një popullsi në plakje, priret ta ngadalësojë pasurinë dhe produktivitetin. Në pjesë të Azisë Lindore, ky problem është shumë i mprehtë. Këtë javë, Koreja e Jugut dhe Japonia publikuan nivele të ulëta rekord të lindjeve.

Koreja e Jugut pati vetëm 230.000 lindje vitin e kaluar. Niveli i saj i lindjeve ra me 8 për qind, në vetëm 0.72 fëmijë për grua, ndërsa numri i lindjeve në Japoni ra me 5.1 për qind ose vetëm 758.631. Rënia e popullsisë është në fakt një sfidë globale, dhe lufta ndaj saj është bërë një prioritet në mbarë botën.

Qeveritë po zbatojnë një sërë masash për të rritur normat e lindjeve, si direkte ashtu edhe indirekte. Megjithatë, gjithnjë e më shumë, veprimet e ndërmarra nga qeveritë rezultojnë të kenë pak ose aspak ndikim. Madje ndonjëherë kanë sjellë të kundërtën e rezultatit të synuar. Ish-qeveria në Poloni u përpoq të frenonte rënien e lindjeve me ligje, sipas të cilave gratë do të paguheshin për të pasur fëmijë. Por siç raportoi polake “Gazeta Wyborcza”, dhënia e një pagese mujore nga qeveria konservatore për familjet me fëmijë, përkoi me një ligj drastik kundër abortit që hyri në fuqi në vitin 2020.

Kjo solli nivele lindjeje edhe më të ulëta. Disa e shpjegojnë këtë me një lloj proteste nga gratë:mos-lindja e fëmijëve, përfaqëson një formë delikate të lëvizjes sociale për gratë që nuk mbështesin detyrën gjinore që u imponohet. Ato nuk ndihen të sigurta për të pasur fëmijë në një vend patriarkal me këto ligje, një realitet nuk mund ta kompensojë ndihma financiare.

Raste të ngjashme kanë ndodhur në Azi. Gratë koreano-jugore shmangin lindjen si shenjë proteste kundër normave shoqërore, të cilat e kanë mbajtur nivelin e lindjeve në Korenë e Jugut nën 1.3 që nga viti 2001. Qeveria në Seul, ka vënë në zbatim masa të tilla si ndarja e pensioneve për prindërit si një nxitje për të lindur më shumë fëmijë.

Ajo investoi 379 trilionë won (286 miliardë dollarë) të shpërndara gjatë 16 viteve në nisma që synonin rritjen e lindjeve, përfshirë pagesat direkte për familjet. Sërish manovra nuk funksionoi, pasi Koreja e Jugut që kishte normën më të ulët të lindjeve në nivel global, në vitin 2020 pati më shumë vdekje sesa lindje.

Koreja e Jugut, u rendit sërish e fundit në këtë aspekt edhe vitin 2023. Midis grave jug-koreane ekziston ndjenja e përbashkët, se qeveria nuk po i dëgjon nevojat e tyre, dhe se ajo po i hedh paratë kuturu, pasi nuk po synohet adresimi i problemeve strukturore.

Më konkretisht, gratë po zgjedhin të mos kenë fëmijë për të pasur një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës, përballë pabarazisë gjinore dhe natyrës konkurruese të prindërimit në shoqërinë koreane, duke shprehur nevojën për një zgjidhje më gjithëpërfshirëse që shkon përtej stimujve financiarë.

Në këtë aspekt, Kina qëndron vetëm pak vende mbi Korenë e Jugut. Në epokën e saj e pas planifikimit familjar, kalimi nga “politika e një fëmije” në “politikën e 3 fëmijëve” reduktoi fondet për edukimin dhe kontraceptivët, teksa inkurajoi lindshmërinë përmes pagesës së përfitimeve të mirëqenies.

Megjithatë, mundësia për të pasur deri në 3 fëmijë, dhe mungesa e edukimit seksual, solli një numër të lartë të shtatzënive tek adoleshentet, por edhe aborte. Përpjekja e qeverisë për të pasur më shumë lindje, nuk e ka ndryshuar tendencën e rënies së popullsisë. Në vitin 2023, Kina pati një normë të ulët rekord lindjesh dhe për të dytin vit radhazi.

Irani nuk ishte i shqetësuar për shtatzënitë e adoleshentëve, pasi në maj 2023 shteti nisi t’i inkurajonte studentët e rinj që të bëhen prindër. Media dixhitale në gjuhën perse Kayhan-London, raportoi se studentët shtatzëna mund të merrnin nota më të larta, dhe mësuesit e tyre do të shpërbleheshin si pjesë e diktati demografik që po i imponohet popullatës.

Rritja e popullsisë së vendit, është një përparësi për Udhëheqësin Suprem Ayatollah Ali Khamenei, edhe pse ajo është e përfshirë në kontekstin e kufizimeve të rënda në trupat e grave iraniane, nga kërkesat për t’u mbuluar deri tek një luftë e vazhdueshme për të drejtat e abortit.

Qoftë të motivuara fetarisht apo ekonomikisht, qeveritë vazhdojnë të përpiqen të ndalin rënien demografike. Por Philip Cohen, profesor i sociologjisë në Universitetin e Merilendit  në SHBA i specializuar në tendencat demografike, thotë se “planifikimi familjar” nga qeveritë priret të jetë në rastin më të mirë joefektiv.

“Çdo gjë që bëni për të ndikuar mbi normat e lindjeve, do të ketë efekte anësore shumë të këqija. Dhe çdo përfitim që do të merrni, ka të ngjarë të jetë shumë i vogël”- thotë Cohen. Amerika Latine ka historinë e saj unike demografike gjatë dekadave të fundit. Në mesin e shekullit XX-të, shumë vende në Amerikën Latine kishin norma të larta të lindshmërisë, dhe familjet e mëdha ishin një normë. Faktorët që ndikuan në këto nivele të larta lindjesh, përfshinin normat kulturore, qasjen e kufizuar tek kontraceptivët dhe programet më pak të zhvilluara të planifikimit familjar.

Programet që ofrojnë kontraceptivë falas, kanë ndikuar tek një ulje e konsiderueshme të shtatzënive në Argjentinë, Kili dhe Uruguai. Ky është një tregues pozitiv i zhvillimit social, megjithëse tani ka shkaktuar sfida të ngjashme demografike siç po i shohim në Evropë dhe Azi, duke kontribuar në tkurrjen e fuqisë punëtore dhe tek presionet e mëdha mbi sistemet e pensioneve.

Burimi: Worldcrunch. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë