Nga Gazeta ‘SI’ – Enti Rregullator i Energjisë ka publikuar metodologjinë për çmimin e energjisë së rinovueshme që do të përdoret nga konsumatorët fundorë.
Sipas dokumentit, OER, Operatori i Energjisë së Rinovueshme do t’i dërgojë ERE-s një tarifë të propozuar që më pas do të paguhet nga konsumatorët sipas kilovatëve që kanë shpenzuar.
Tarifa, përcakton ERE, do të jetë e bazuar në kostot e punës, balancimit dhe vlerës që duhet t’i paguhet prodhuesve me përparësi. Prodhuesit me përparësi janë ata që kanë nënshkruar një kontratë për prodhim të energjisë fotovoltaike deri në 2 MW. Energjinë e tyre do ta blejë operatori shtetëror OER, i cili e shpërndan atë në treg.
Çdo 1 shtator, furnizuesit e energjisë i paraqesin OER-së parashikimin vjetor të energjisë që presin të prodhojnë, sipas muajve.
Furnizuesi faturon vlerën e detyrimit për energjinë e rinovueshme në lekë për kWh për të gjithë klientët fundorë sipas sasisë përkatëse të energjisë elektrike të furnizuar.
Pas përcaktimit të detyrimit duke respektuar formulën e Entit metodologjia nënvizon se çdo faturë e energjisë elektrike e faturuar nga furnizuesi i energjisë elektrike për një konsumator fundorë do të përfshijë detyrimin e energjisë së rinovueshme të faturuar shprehimisht nga furnizuesi i tyre i energjisë elektrike. Deri në krijimin e OER këtë rol do ta luajë Furnizuesi i Tregut të Lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.