Politike

Të premten komisioni për reformën zgjedhore, Gazment Bardhi tregon kushtet: Kur kthehet normaliteti

Nga Gazeta Si- Të premten është thirrur sërish komisioni i reformës zgjedhore, por opozita parlamentare, e drejtuar nga Gazment Bardhi, është e vendosur të mos e lejojë zhvillimin normal të mbledhjes. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një intervistë për Gazetasi.al konfirmoi se ka vetëm një rrethane, kur normaliteti mund të rikthehet në komision.

“Duhet të përfaqësohemi me bashkëkryetar, duhet të ketë përfaqësim të vërtetë të opozitës në Komision, me përfaqësues që ajo i zgjedh vetë, jashtë diktatit të mazhorancës”, tha Bardhi. Ai mohoi se ky qëndrim po dëmton interesat e opozitës dhe e sheh problemin tek PS dhe pjesa e përfaqësuar nga Basha.

Gazeta Si: Nga zyra qendrore e ODIHR-it, kërkohet konsultim dhe angazhim gjithëperfshirës për zbatimin e rekomandimeve për zgjedhjet e ardhshme. Si do të përfshiheni, kur nuk merrni pjesë në komision?

Gazment Bardhi: Ne mbështesim qëndrimin e OSBE - ODIHR që reforma zgjedhore duhet të garantojë gjithëpërfshirjen dhe konsensusin mes palëve. Është fakt i njohur publik, konfirmuar edhe nga Komisioni Europian, që Komisioni prej 22 muajsh mbahet i bllokuar dhe nuk ka asnjë produkt. Ne duam të marrim pjesë në Komision me anëtarët që caktohen nga vetë opozita, jo me ata që janë vullnet i Edi Ramës. Ne duam të përfshihemi, duam të marrim pjesë, dhe nuk po lejohemi nga Edi Rama. Kjo është një nga dy çështjet për të cilat opozita proteston në Kuvend dhe që ka futur në anormalitet funksionimin e Kuvendit.

Gazeta Si: Edhe nga SHBA dhe BE ka qëndrime të njëjta për rekomandimet e ODIHR-it në adresë edhe të partive politike. Me qëndrimin tuaj bojkotues po dëmtoni interesat e opozitës për reformën zgjedhore?

Gazment Bardhi: Ne nuk kemi asnjë qëndrim bojkotues. Duam të marrim pjesë, nuk po lejohemi. Jemi ne që kemi reaguar për bllokimin prej 22 muajsh të reformës zgjedhore. Jemi ne që e kemi ngritur këtë shqetësim në opinionin publik dhe tek faktori ndërkombëtar për lënien në heshtje për 2 vjet të reformës zgjedhore. Dëmtimi i interesave të opozitës është bërë nga ato që në 2 vjet e lanë në heshtje dhe duan të vazhdojnë ta lenë në heshtje e ta mbajnë të bllokuar.

Gazeta Si: Në çfarë kushtesh do të merrnit pjesë në komisionin e reformës zgjedhore? Vetëm pasi të përfaqësoheni aty me bashkëkryetarin?

Gazment Bardhi: Po, duhet të ketë përfaqësim të vërtetë të opozitës në Komision, me përfaqësues që ajo i zgjedh vetë, jashtë diktatit të mazhorancës. Nuk duam as më shumë e as më pak, por atë që shprehet qartë në rezolutën më të fundit të Komitetit të Stabiliizmit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Në rezolutë thuhet e zeza mbi të bardhë se në komisionin e reformës zgjedhore duhet të ketë përfaqësim të vërtetë të opozitës. Aktualisht nuk është.

Gazeta Si: Blerja e votës, intimidimi i zgjedhësve dhe administratës janë dy nga rekomandimet, ku përqendrohen ODIHR, SHBA, BE në deklaratat e tyre pas publikimit të raportit final. Ka shanse që PS t’i kryejë këto rekomandime me votën e opozitës pjesëmarrëse në komision?

Gazment Bardhi: PS nuk ka interes për t’i adresuar këto problematika, prandaj e mbajnë për 2 vjet të bllokuar punën. Për ne këto janë prioritete dhe do të trajtohen si prioritete. Shndërrimi i debatit në tema të tjera është përsëritje e skenarit të njohur të “kërpëratave” të vitit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë