Nga Gazeta ‘SI’ – Deputeti socialist Laert Duraj ka prezantuar në komisionin online të Ekonomisë, projektligjin e propozuar nga ai për koncesionet dhe PPP-të, ku synohet të ulet garancia për kontratën e koncesioneve, duke lehtësuar kështu kompanitë e interesuara.
Deputeti i propozon qeverisë që për fituesit e kontratave koncesionare garancia (sigurimi i kontratës) të jetë sa 5% e vlerës së ndërtimit dhe jo sa 5% e vlerës së kontratës siç është momentalisht. Pas periudhës së ndërtimit, thekson drafti, të llogaritet sa 5% e vlerës së mbetur të kontratës.
Sipas deputetit, ky ndryshim duhet të ndodhë sepse ligji në fuqi i ka rënduar kompanitë me vlera të larta që shërbejnë si garanci.
“Nga zbatimi në praktikë i ligjit, mënyra e përllogaritjes së garancisë së realizimit të kontratës ka rezultuar në vlera mjaft të larta, të cilat pengojnë financimin real të projektit që synon të zhvillohet” argumenton deputeti socialist duke thënë se ndryshimet e propozuara do ta bëjnë më efektive këtë sektor.
Pjesë e komisionit ishte edhe zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero, e cila tha se qeveria po punon për një ligj të ri të PPP-ve, i cili do të gjenerojë një produkt përfundimtar që do të reflektojë rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Është ngritur një grup pune gjatë vitit 2023 që po sheh gjithë kuadrin ligjor në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve, dhe shume shpejt do të vijë me një produkt që ka si qellim harmonizimin e legjislacionit dhe do reflektoje sugjerime të FMN lidhur me procesin e vlerësimit dhe monitorimit te projekteve koncesionare. Jemi njohur me propozimin gjate ditës se djeshme, kemi pasur një hapësirë kohore për ta vlerësuar dhe për ta diskutuar. Tani fusha e koncesioneve ka kaluar pranë Ministrisë se Ekonomisë, dhe Ministria e Financave do të mbajë peshë për monitorimin e kontratave koncesionare dhe implementimin e tyre.”
Në fund të mbledhjes komisioni vendosi të mos miratojë ndryshime pjesore për këtë ligj, për shkak të ligjit të ri për të cilin po punohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.