Dosje

‘Agjentët e kërkonin prej javësh’… Me veshje sportive dhe kapele. Si u arrestua Lul Berisha në Spanjë (video)

Gazeta Si - Me veshje sportive, kapele të kuqe mbi kokë dhe jelek me mëngë të shkurtra, Lulzim Berisha është arrestuar para pak ditësh në Spanjë me kërkesë të autoriteteve shqiptare, që e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ministria e Brendshme spanjolle ka dhënë detaje për prangosjen e ish-anëtarit të Bandës së Durrësit në vitet 2000.

“Autoritetet shqiptare këmbëngulën në rëndësinë dhe prioritetin e gjetjes së këtij personi. Pas hetimeve të para, kërkimi u përqendrua në bregdetin Levantin, ku disa agjentë kërkuan për javë të tëra. Menjëherë pas kësaj, një apartament në San Juan de Alicante, u gjet ku mund të fshihej i kërkuari”, - thuhet në një komunikatë.

Në muajin dhjetor, hetuesit kryenin vëzhgime diskrete në afërsi të lokacionit të të kërkuarit dhe agjentët arritën të identifikonin një tjetër anëtar të organizatës që po përgatitej ta zhvendoste prej andej.

Pikërisht në këtë moment, policia spanjolle arriti të vërë në pranga Lulzim Berishën. Ministria e Brendshme spanjolle sqaron se Berisha ishte drejtues i një organizate kriminale të cilës i atribuohen dhjetëra vrasje që nga viti 1998.

I arratisuri kërkohej për vrasjen e dy personave që u qëlluan në një qytet të Shqipërisë në vitin 2005.

“I arratisuri filloi aktivitetin e tij në organizatën kriminale që drejtonte në fillim të viteve ’90 dhe mori emrin e tij nga një nga qytetet më të rëndësishme të rajonit shqiptar, Durrësi, si simbol i kontrollit që kjo organizatë kishte arritur dhe falë saj do të ishte pozicionuar si eksportuesi kryesor i kokainës dhe armëve në vend”, - shton ministria n shënimin e saj.

Ndaj Lulzim Berishës, rëndojnë një sërë akuzash. Në vitin 2012, ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në korrik 2014 nga Gjykata e Lartë.

Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, në dhjetor 2016.

Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia.

Për të SPAK ngre akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.

Por pak ditë para arrestimit, SPAK kërkoi pushimin e hetimeve ndaj tij dhe Plaurent Dervishaj për këtë çështje, pasi nuk provohej se ishte i përfshirë.

Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.

Kërkesë kjo, e cila pritet të realizohet vetëm pas përmbylljes së procesit të ekstradimit të tij në Shqipëri, pas arrestimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë