Gazeta Si - Dy muaj pas arrestimit në Francë, Behar Bajri është ekstraduar në Shqipëri mëngjesin e kësaj të enjteje.
Ai ishte i shpallur në kërkim për dosjen "Metamorfoza" dhe i është dorëzuar autoriteteve shqiptare nën masa të rrepta sigurie. Emri i Behar Bajrit doli në bisedat e zbërthyera nga Prokuroria e Posaçme në aplikacionin Sky.
43-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila do përcaktojë edhe burgun ku ai do të presë gjykimin për disa vepra të rënda penale.
Ky shtetas u kap dhe u arrestua në kufirin mes Francës dhe Gjermanisë, në muajin shtator 2023, falë shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj franceze.
I njohur dhe me mbiemrin Brajoviç, 43-vjeçari komunikonte me të pandehurit e tjerë për realizimin e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura vite më parë.
Një prej tyre ishte dhe vrasja e Gjin Boriçit, në gusht të vitit 2021 në qytetin e Shkodrës. Gjithashtu 43-vjeçari akuzohet edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, ekzekutime të cilat nuk u finalizuan.
Në këto komunikime, doli dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, që sipas SPAK e ndihmoi Bajrin të dalë nga burgu nëpërmjet ryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita.
Bëhet fjalë për arrestimin në kuadër të operacionit “OAZ” shtatorin e vitit 2018. Për dosjen “Metamorfoza”, janë nën akuzë 14 persona mes të cilëve dhe ish-zyrtarë policie.
Bajri, i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshme të botës së krimit në Shqipëri, dyshohet gjithashtu se ka vrarë në gjumë partneren e tij 15-vjeçare, Fabiola Bajri dhe shtetasin Arben Tuzi, ngjarje këto të vitit 2002.
Ai akuzohet për “vrasje me paramendim”, “sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje” në 3 episode, “korrupsion aktiv ndaj gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “armëmbajtje pa leje”, vepra këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Në njoftimin për mediat, Interpol Tirana bëri të ditur gjithashtu se nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Behar Bajri, kundrejt ofrimit të shumave monetare funksionarëve të drejtësisë, ka mundur të lirohet para kohe nga burgu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.