Politike

Pakti me Italinë për emigrantët, Soreca: Për momentin ka vlerë politike, jo ligjore! Balluku: Do shkojë për ratifikim në Kuvend

Nga Gazeta ‘Si’-Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca thotë se marrëveshja me Italinë për menaxhimin e emigrantëve për momentin nuk ka vlerë ligjore, por politike.

I pyetur gjatë konferencës së prezantimit të “Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2023” ai tha se konsultimet për këtë marrëveshje vazhdojnë ende dhe se të dyja palët duhet ta kthejnë në ligj.

Soreca theksoi se ka ende detaje që duhet të identifikohen, ndërsa shtoi se BE dhe shtetet anëtare mund të bashkëpunojnë me vende të tjera për emigracionin duke respektuar zbatimin e legjislacionit të BE dhe konventave ndërkombëtare.

“Konsultimet janë në vijim e sipër. Ky është tekst i parë dhe duhet të kthehet në ligj nga të dyja palët. Këtu ne do të bëjmë vlerësimin tonë. Ka detaje që duhen identifikuar. Për momentin është e parakohshme të japim vlerësim për dokumente që për momentin kanë vlerë politike dhe jo ligjore. Në çdo rast BE dhe shtetet anëtarë mund të bashkëpunojnë me vende të tjera për emigracionin duke respektuar zbatimin e legjislacionit të BE dhe konventave ndërkombëtare”, u shpreh Soreca.

Ndërsa zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se marrëveshja ka kaluar në qeveri dhe do të shkojë në parlament për t’u ratifikuar.

“Askush nuk duhet të shqetësohet, as për kornizën juridike të saj. Përcakton në mënyrë të duhur të drejtën e palëve. E konsiderojmë Shqipërinë një shtet europian, e kuptojmë shumë mirë problematikën që ka sot shteti fqinj. Jemi solidar. Na vjen keq që ka politikanë shqiptarë që për arsye të luftës me qeverinë merren me ngjyrën e emigrantëve. Jemi popull që kemi vuajtur në kurriz paragjykimet. Është një rrugë e gjatë, do shkojë në parlament, do e dëgjoni në komisione”, tha Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë