Nga Gazeta Si- "Asnjë të mirë nuk sjell kjo festë, vetëm sa na i bën fëmijët më agresiv”. Kjo është një nga përgjigjet që prindërit të thonë kur pyeten nëse duhet të lejohen fëmijët që të festojnë Halloween-in, një festë që prej vitesh tashmë është importuar në vendin tonë dhe festohet edhe në shkolla.
“Vajza 7 vjeç dhe djali 4 më kanë kërkuar prej një jave që të blejnë kostume për Halloween. Jam munduar t’i bind që të vishen si personazhe në filma vizatimorë dhe ka qenë shumë e vështirë sepse të dy donin veshje të frikshme, me argumentin se vetëm kështu mund të trembin shokët dhe shoqet e klasës”, thotë Najada V. mamaja e dy fëmijëve.
Halloween është kthyer në një festë shumë të pritur nga fëmijët të cilët nxitojnë disa ditë para që të gjejnë një kostum për këtë festë. Madje në shumë kopështe dhe shkolla sot fëmijët shkuan me kostumet e festës.
Por a duhet të festojnë fëmijët?
Sociologia Marsida Simo thotë për Gazetasi.al se thelbi i asaj që kuptohet gjerësisht për këtë ditë është: Fëmijë që lyhen me bojë të kuqe që të duken sa më të gjakosur, vogëlushë që bëhen si djaj apo shtriga që hanë karamele e çokollata si shpërblim.
“Ajo që për mua është shqetësuese nuk është fakti se disa biznese nxisin klientët e tyre duke reklamuar produktet apo shërbimet me simbole të frikshme, apo presin kunguj qesharakë, por organizimi i një feste të mirëfilltë brenda institucioneve arsimore”, thotë Simo duke qenë se ditën e sotme në shumë shkolla po festohet Halloween, ku fëmijëve u është kërkuar që të maskohen.
Është e drejta e kujtdo të zgjedhë të festojë, besojë apo injorojë, thotë Simo, por kopshtet, shkollat duhet të mbeten larg komercializmit dhe sidomos festimeve të atilla të cilat kërkojnë arredim të frikshëm, fytyra me gjak, dhëmbë vampiri apo shtriga fluturuese.
“Pavarësisht se disa teori nxjerrin në pah se kur fëmijët vishen me personazhe të frikshme, çlirojnë energjitë negative, njihen me të keqen ashtu si dhe me të mirën, mendoj se moshat e vogla e kanë vështirë të ndajnë të vërtetën nga e gabuara”, thotë Simo, dhe kjo mund të ndikojë negativisht tek fëmijët të cilët pas një feste me maska, mund të mendojnë se është normale të jesh agresiv apo të sillesh në një mënyrë të tillë, njësoj siç sillen kur kanë një maskë.
Simo thotë se vitet e fundit, mikesha, apo nëna i janë shprehur të shqetësuara se fëmijët e tyre 3-4 vjeç për javë të tëra nuk shkonin dot në tualet apo në dhomë vetëm, ose nuk flinin pas ditës së Halloweenit.
“Fëmijët përjetonin makthe të përsëritura kur shohin maskime të frikshme”.
Simo thotë se do të ishte mirë që të ketë ditë të tjera, konkurse apo festival ku fëmijët të përfshihen në aktivitete që u përshtaten moshës së tyre. Gjithashtu, fëmijët duhet të drejtohen drejt personazheve që kanë vlera dhe janë pozitivë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.