Politike

Berisha: Nuk shkoj në SPAK, deri sa Rama të votojë amendamentin kushtetues  

Sali Berisha konfirmoi në konferencën e të premtes në mesdite se ai nuk do të paraqitet pranë oficerit të Policisë Gjyqësore në SPAK dy herë në muaj siç e parashikon vendimi i GJKKO.

“Dua të sqaroj për të gjithë shqiptarët dhe të gjithë të interesuarit përtej kufijve të vendit tonë qëndrimin tim ndaj kërkesës së gjykatës dhe refuzimit tim për të shkelur Kushtetutën duke lejuar vendosjen e një precedenti antikushtetues.

Garantoj çdo qytetar se me qëndrimin tim mbroj shtetin ligjor dhe Kushtetutën e vendit.

Përndryshe, do të shkoj në Gjykatë, pa problem, madje me një platformë sqaruese dhe të detajuar, për të zbardhur të vërtetat e errësuara qëllimisht, pavarësisht nëse jemi para Gjykatës, Prokurorisë, Parlamentit apo në sheshe publike.

Prandaj e ftoj Edi Ramën të ketë guximin të vijë dhe të votojë amendamentin që heq çdo mbrojtje nga deputetët shqiptarë dhe fshin menjëherë çdo dallim në Kushtetutën mes të pushtetshmëve dhe qytetarëve të tjerë.

E di që disa deputetë socialistë mund të mos e votojnë, por deputetët e opozitës do ta mbështesin njëzëri nëse do të mbërrijë në Kuvendin e Shqipërisë.

Unë nuk mund dhe nuk do të lejoj një gjyqtar mercenar të rishkruajë Kushtetutën në tavolinë. Ne jemi Republikë parlamentare, jo kryeministrore apo gjyqësore.

Deklaroj me vendosmëri se nuk i lejoj vetes asnjë kufizim apo hezitim për t’u paraqitur dhe për t’iu përgjigjur Prokurorisë apo Gjykatës. Unë jam i prirur të shkoj. Unë nuk kam asnjë vetëkufizim…”, tha Berisha

“Ata që marrin përsipër të shkruajnë Kushtetutën në vend që ta zbatojnë atë janë banditë kundër shtetit, jo përfaqësues të tij. Pas tre vitesh hetim intensiv, Edi Rama dhe pasardhësit e tij nuk gjetën asnjë provë dhe asnjë fakt për të ngritur kallëzim penal kundër meje. Megjithatë, urdhëruan masa sigurie si person nën hetim, arrest me paraqitje të detyrueshme dhe bllokimin e pasaportës sime me vendim gjykate pa marrë autorizimin e Kuvendit. Kushtetuta e Shqipërisë, neni 73 pika 2 thotë: Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në asnjë formë, ose t’i nënshtrohet kontrollit personal ose në shtëpi pa autorizimin e Kuvendit. Është rasti i parë në 32 vite pluralizëm politik, që ndaj një deputeti merren masa të tilla pa miratimin e Kuvendit. Unë dhe deputetët e opozitës jemi gati të votojmë nesër për heqjen e kësaj dispozite nga Kushtetuta. Megjithatë, nuk do të pranojmë kurrë që Edi Rama dhe gjyqtarët apo prokurorët e tij politikë të shkelin Kushtetutën, vijoi ai

Sipas Berishës, SPAK veproi me dy standarde, duke sjellë një paralelizëm për sekuestrimin e pronave të Pëllumb Gjokës

“Profesor Abi Malltezit, pa provuar pas tri vitesh asnjë shkelje ligjore në mënyrë absolute, i vendosin sekuestro brenda orës, për të gjitha pronat e tij.

Vrasësit Pëllumb Gjoka, mikut të ngushtë të skapistëve kriminelë, u detyruan t’i vendosin sekuestron megjithëse duhet të dini një gjë, regjistrimet e bisedave dhe mesazheve në EncroChat dhe SKY, gjykata franceze i ka pranuar si prova të mirëfillta krimi.

Megjithëse janë dorëzuar, kanë kaluar 2 ose 3 muaj dhe vetëm dje u kujtuan se ky problem ekziston. Merrni vesh ju se çfarë organizate është SKAP-i.

Tani thanë se njerëzit do pyesin se këtij ia sekuestruan të gjitha pronat, dhe ato që ka pasur kur ata kanë punuar si zyrtarë në OKB, kanë pasur një rrogë më të madhe dhe kanë blerë prona, edhe ato të gjitha ia ka sekuestruar SPAK i partisë.

Kurse për Pëllumb Gjokën u kujtuan dje. Dje u kujtuan, kurse për këtë u kujtuan brenda një ore. Flet vetë…”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë