Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, që zhvillohet në Tiranë.
Në fjalën e tij para homologëve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, Kurti është ndalur ndër të tjera dhe në sulmin e 24 shtatorit në Veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një nga efektivët e policisë.
“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak.
Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vjet pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me pushtim nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një veprim i tillë nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar”, tha Kurti.
Më tej Kryeministri tha se qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku.
“Qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e konfliktit nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku. Ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




