Qeveria ka publikuar në Fletoren Zyrtare udhëzimin e ri për metodologjinë e shpërndarjes së fondeve shtetërore për sektorin e ujësjellësit.
Sipas dokumentit, prioritet është përdorimi i fondeve për të shlyer detyrimet që janë me rëndësi në veprimtarinë normale të shoqërisë UK. Pas kësaj, pjesa e mbetur do të shkojë automatikisht për borxhet e energjisë, që në të shumtën e rasteve janë borxhi më i madh i shoqërive të ujësjellësve
Lidhur me reformën e këtij sektori, udhëzimi thekson se për çdo shoqëri rajonale të krijuar brenda vitit 2023, do të jepen 30 milionë lekë.
Vlerësimi i nevojave për fondin e dhënë si dhe shuma finale që do të jepet do të llogaritet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellësve, AKUM në bazë të dokumentacionit që përcaktohet në kuadrin ligjor.
Deri në fund të marsit 2023, shoqëritë UK i detyroheshin OSHEE-së mbi 30 mld lekë.
Sipas raportit të Entit Rregullator të Ujit, nga 58 shoqëri, vetëm 3 mund të mbulojnë kostot e tyre, ajo e Tiranës, Dibrës dhe Librazhdit. Vetëm 13 mund të mbulojnë kostot operative (paga) dhe të tjerat asnjërën nga këto. Për vitin 2022, shoqëritë e UK-ve arkëtuan 10 mld lekë.
Ujësjellësi-Kanalizime Durrës, që ka shpallur tashmë falimentimin ishte ndër njësitë që kishte vështirësi të mbulonte kostot e veta.
Në vitin 2022 startoi procesi i reformimit dhe riorganizimit të Sektorit të Ujit, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të “Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve 2020-2030”. Synimi është rigrupimi i 58 ndërmarrjeve UK aktuale, përmes rigrupimit të tyre në 15 shoqëri SKP-UK rajonale, me qëllim final menaxhimin optimal dhe rritjen e performancës së tyre financiare.
Ministria e Financave sqaron se deri në mars 2023 janë arritur marrëveshjet e transferimit të aktivitetit të shërbimeve ndërmjet 50 bashkive dhe si rrjedhojë janë krijuar 12 shoqëri UK rajonale nga 15 të parashikuara sipas reformës.
Shoqëritë e reja rajonale të krijuara janë: “SKP UK Korçë, SKP UK Pogradec, SKP UK Durrës, SKP UK Lezhë, SKP UK Dibër, SKP UK Kukës, SKP UK Berat, SKP UK Elbasan, SKP UK Gjirokastër, SKP UK Fier, SKP UK Lushnje, dhe SKP UK Sarandë.
Mbeten 11 bashki të cilat ende nuk kanë firmosur marrëveshjet e bashkëpunimit për krijimin e 3 shoqërive rajonale përkatësisht: “SKP UK Shkodër, SKP UK Tiranë dhe SKP UK Vlorë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.