Trend

Pse gratë kanë më pak gjasa të bëjnë pyetje në publik

Në fund të konferencave, pjesëmarrësit janë të lirë të bëjnë pyetjet e tyre dhe sipas studiuesve, gratë kanë më pak gjasa që të bëjnë pyetje në publik, ndërkohë që shumë prej tyre zgjedhin ti bëjnë pyetjet pasi mbaron konferenca.

Edhe pse mund të mendohet se gratë kanë më pak pyetje për të bërë, studime të ndryshme kanë treguar se nuk është kjo arsyeja kryesore.

Një studim nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, i botuar në vitin 2022, vuri re se kush bënte pyetje në një konferencë që përfshinte të gjithë, nga biologët tek astrofizianët dhe ekonomistët. Kjo ishte një nga ato konferenca ku nëse doni të bëni një pyetje, duhet të lini vendin dhe të qëndroni para mikrofonit, ndërsa të gjithë të tjerët ju shikojnë. Në fund, u zbulua se meshkujt bënë 78% të pyetjeve.

E njëjta gjë ndodhi kur 250 seminare akademike të departamenteve në 10 vende u vëzhguan në një studim të udhëhequr nga Alecia Carter, e cila tani është në University College London. Ajo zbuloi se gratë kishin dy herë e gjysmë më pak gjasa se burrat për të bërë një pyetje, pavarësisht nga fakti se raportet midis burrave dhe grave ishin mesatarisht të barabarta.

Pra, çfarë i pengon disa gra për të bërë pyetje në publik?

Duket se nuk është për mungesën e një pyetjeje. Alecia Carter analizoi përgjigjet e anketës nga 600 akademikë nga 20 vende. Ishte interesante të shihje se si burrat ashtu edhe gratë thanë se ndonjëherë nuk bënin një pyetje, edhe pse kishin një të tillë në mendje. Por gratë kishin më shumë gjasa të thoshin se arsyeja që u ndalën ishte se nuk mund të bënin pyetjen sepse ishin të shqetësuara nëse e kishin keqkuptuar kontekstin e temës, se folësi mund të vihej në siklet ose se nuk ishin mjaftueshëm të zgjuara për të bërë një pyetje të mirë.

Dy herë më shumë burra se gra thanë se ishin të motivuar të bënin një pyetje sepse mendonin se kishin vënë re një gabim.

Hulumtimet kanë parë gjithashtu natyrën e pyetjeve që bëjnë burrat dhe gratë ku u vu re se meshkujt kanë më shumë gjasa të bëjnë pyetje më të gjata ose të përpiqen të bëjnë më shumë se një pyetje në të njëjtën kohë.

Kur u krahasuan karakteristikat e tjera të pyetjeve, i vetmi ndryshim midis burrave dhe grave ishte se gratë kishin më shumë gjasa të përshëndesnin folësin.

Problemi tjetër me më pak gra që bëjnë pyetje në përgjithësi është se gratë në fillim të karrierës së tyre akademike kanë më pak modele të dukshme të grave të tjera duke u treguar atyre se nuk duhet të keni frikë të bëni pyetje.

Çfarë mund të bëhet për t'u mundësuar më shumë grave të bëjnë pyetje nëse dëshirojnë?

Në pamje të parë, pandemia mund të duket se na ka treguar një rrugë përpara. Kur takimet filluan të mbaheshin në internet, kishte një mundësi të re për të bërë pyetje pa pasur nevojë të thuhej një fjalë me zë të lartë.

Nuk ka asnjë ‘parehati’ me dorën lart, gjysmë duke shpresuar mos të zgjidhet për të bërë pyetjen dhe gjysmë me frikë se do të zgjidhet, pa shqetësime nëse mikrofoni po funksionon ose nëse do të pengohen në pyetje ndërsa të gjithë po shikojnë.

Studiuesit besojnë se moderatorët kanë një rol të madh gjithashtu.

Nëse një burrë bën pyetjen e parë, atëherë më pak gra vijnë me pyetje më pas. Pra, ndoshta përgjigjja është të zgjidhet një grua për të bërë pyetjen e parë.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë