Rend dhe Ligj

Masakër në Greqi, vriten 6 persona për larje hesapesh. CNN-i grek: Dyshohet të jenë shqiptarë

Gazeta Si – Gjashtë persona, të cilët dyshohet se janë shqiptarë, janë qëlluar për vdekje me armë zjarri pas një sherri për larje hesapesh në Greqi.

Ngjarja ka ndodhur në zonën Lotusa në lindje të Athinës dhe CNN grek raporton se viktimat dyshohet se janë të gjithë shqiptarë. Tre prej tyre ndodheshin në një makinë me targa gjermane dhe dy të tjerë në një shtëpi aty pranë.

Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për larje hesapesh midis grupeve rivale. Policia ka shkuar me urgjencë në vendngjarje, ndërsa pritet njoftim zyrtar.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje për larje hesapesh, teksa autorët mendohet se janë arratisur me një makinë ngjyrë të zezë.

Në skenën e krimit janë gjetur gëzhoja që i përkasin një pistolete 9 milimetërshme. Nga rindërtimi paraprak i dinamikës së krimit, dyshohet se shoferi i makinës ka tentuar të largohet, e për këtë arsye u gjet i vrarë jashtë mjetit.

Mediat greke shkruajnë se shqiptarët që po lëviznin të gjithë së bashku me një makinë, janë zënë në pritë nga një bandë rivale dhe shkak janë bërë larjet e hesapeve mes bandave. Raportohet se autorët që kanë qëlluar ndaj shqiptarëve kanë përdorur një makinë me targa false shqiptare për të humbur gjurmët.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Arionos dhe EKAV-ja ka shkuar në vendngjarje me një njësi të lëvizshme me ekipe shpëtimi dhe një mjek, i cili konfirmon se personat që janë qëlluar, kanë humbur jetën.

Forcat e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën, për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë