Trend

Udhëtimet ‘esëll’ janë një trend i momentit por për disa, kjo është një mënyrë jetese

Tashmë turistët po zgjedhin të kalojnë pushime esëll, pa pirë deri në humbjen e vetëdijes në darkat me miqtë apo nëpër vendet e destinuara për t’u bërë tapë.

Turistët gjithashtu po u kërkojnë kompanive turistike që të bëjnë itinerare që nuk përfshijnë pijet.

Dhe kërkesat e tyre janë dëgjuar. Shumë kompani të mëdha udhëtimi jo vetëm që po ofrojnë përvoja pa alkool por edhe po i reklamojnë ato.

Edhe pse ka pasur gjithmonë turistë që i shmangen alkoolit për një sërë arsyesh, si për shembull feja ose shëndeti, lëvizja në rritje e "të qëndruarit esëll për kuriozitet” është shtrirë në turizëm, shpesh si pjesë e një tendence më të madhe drejt mirëqenies.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tre milionë vdekje çdo vit i atribuohen alkoolit. Në mesin e njerëzve të moshës 20-39 vjeç, ky numër arrin kulmin, me 13.5% të vdekjeve globale të shkaktuara në një farë mënyre nga alkooli.

‘We Love Lucid’, një kompani udhëtimesh në Mbretërinë e Bashkuar, tregon një model të mundshëm për një brez të ri turistësh që duan të jenë të matur ndërkohë që udhëtojnë dhe që nuk janë persona që po rikuperohen nga varësia apo diçka e tillë.

Në fakt, thotë themeluesja Lauren Burnison, "që në fillim zgjodha të mos përdor fjalë në faqen time dhe në marketingun tim, si 'varësia' dhe 'shërimi', sepse ka shumë njerëz që janë në mes të kësaj apo që nuk kanë lidhje me këto”.

Shumë nga pjesëmarrësit në udhëtimet We Love Lucid nuk identifikohen si alkoolikë ose thonë se janë në shërim dhe kanë zgjedhur të mos pinë për një sërë arsyesh.

Burnison zbuloi se kur la pijen, papritmas kishte shumë më tepër të ardhura të disponueshme dhe një botë të tërë për t'i shpenzuar ato. Ndërsa vizitonte qytetin spanjoll Ronda, asaj i ra ndërmend një ide: nëse udhëtimi ‘esëll’ është ka argëtues, a nuk duhet ta dinë të gjithë këtë?

Tani, We Love Lucid organizon udhëtime në grup në destinacione më pak turistike si Ronda, ku njerëzit udhëtojnë pa e përfshirë fare alkoolin.

"Sober curious" është një term i krijuar nga shkrimtarja britanike Ruby Warrington në librin e saj të vitit 2018 me të njëjtin emër. Libri i Warrington vlerësohet gjerësisht për fenomenin e një lloji të ri të njerëzve të matur, që vendosin të mos pinë pa u përfshirë në një besim apo probleme shëndeti.

Edhe markat e alkoolit po hyjnë në veprim. Disa nga kompanitë më të mëdha të birrës në botë, si Asahi dhe ImBev, tani po tregtojnë pijet e tyre me zero alkool ose me përqindje të ulqët alkooli.

Ndërsa baret anembanë SHBA-së po kujdesen për një klientelë të re, ku pijet përmbajnë pak ose aspak alkool.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë