Mendim

Turizmi pas shpinës së Blendit

Nga Auron Tare- Me Blendin jemi miq të vjetër prej shumë vitesh. Dikur takoheshim shpesh, sot më rrallë. Emisionet në Opinion i ndjek edhe mund të them se edhe pas kaq shumë vitesh në ekran përsëri ka mbetur një prej më të mirëve.

Ka ca kohë që Blendi ka filluar të promovojë Shqipërinë turistike. Gjatë periudhës së verës viziton dhe promovon vise dhe pejsazhe pak të shkelura më parë kryesisht për një publik shqiptar.

Promovimi i tyre prej një gazetari të njohur si Blendi sigurisht sjell një vëmendje më të shtuar. Ai ka një ndikim më të madh në këtë fushë për vetë faktin se ka një numër të konsiderueshëm që e ndjekin në rrjetet sociale. Për këtë arsye po i shkruaj edhe unë disa rreshta për vizitat e Blendit në Shqipërinë turistike.

Disa ditë më parë e pashë tek promovonte Pazarin e Gjinokastrës. Nje monument i veçantë në llojin e vet. Blendi tek qëndronte aty ku kryqëzohen udhët e Pazarit, me pasion tregonte numrin e madh të vizitorëve që silleshin vërdallë duke bërë foto apo duke parë vitrinat e dyqaneve. Por edhe pse Blendi e promovoi mjaftueshëm Pazarin, pas shpinës së tij morinë e dyqaneve të vogla i la në heshtje. Ndoshta se nuk kishte çfarë të thoshte për ato që pa në vitrinat e tyre.

Pazari i Gjinokastrës është restauruar vitet e fundit nga një fond i Qeverisë Shqiptare dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan AADF. Restaurimet kanë bërë të mundur rikthimin në jetë të një pjese të veçantë të arkitektures së qytetit. Pazari duket me të vërtetë i ringjallur dhe plot gjallëri. (Megjithëse duhet thënë se Pazari u restaurua edhe në periudhën e Berishës së II-te me një fond prej 6 milion euro. Çfarë u bë me këto fonde, a ishin me të vërtetë restaurime apo jo ende sot ka mbetur mister. Në 2013 u premtua se ky investim prej 6 milion eurosh në Pazar do të hulumtohej dhe përgjegjesit do të shkonin para drejtësisë. Se ç’u bë me këtë premtim dhe ku shkuan ato 6 milion euro askush nuk di më shumë). Gjithsesi tema e këtij shenimi nuk është restaurimi i Pazarit por menaxhimi i tij. Çdo vit me grupe të ndryshme e vizitoj Pazarin jo vetëm si pjesë e atraksionit por edhe se një pjesë të dyqanxhinjve i njoh. Pazari i Gjirokastrës përpos emrit që ka dhe tërheqjes së kuptueshme nga vizitorët është një pasqyrë tipike e turizmit shqiptar. Fasadë e bukur me mallra të rreme. Në pjesën më të madhe të këtij Pazari tregtohet “artizanat” prodhuar në Turqi apo Kinë. Janë prodhime kitch, të lira, pa shije, pa shpirt artistik dhe pa asnjë lidhje me artizanatin e dikurshëm shqiptar.

Një drupunues në një qoshe të Pazarit, një gurpunues dhe nja dy leshpunues të cilët mezi mbajnë veten nuk mund të jenë përfaqësuesit e artizanatit në Jugun shqiptar.

Pazari si kompleks administrohet nga një organizate e krijuar nga AADF ( Fondi shqiptaro amerikan). Imagjinoni për një çast sikur me të vërtete ky Fond ( të cilit po i jepet në administrim edhe Butrinti) do të donin/dinin si ta bënin këtë Pazar një qendër të rëndësishme të artit shqiptar. Imagjinoni nëse dikush do të ishte me të vërtetë serioz për të risjellë artin e mrekullueshëm të artizanatit shqiptar çfarë mundësie të artë i sjellin numrat e turistëve që vinë vërdallë duke parë kitchin Turko/Kinez në Gjinokastër.

Imagjinoni për një çast fondet që shpenzohen për argëtime apo “koncerte” banale si “Tekno Ceco” “Gjyshet në F’est” “Fustanella Pala pala” “Gliko me Arra” apo sheqerna të këtij lloji të jepeshin për mbështetjen e artizanëve të Jugut?

Po sikur arti i çdo artizani në Jug do të mbështetej financiarisht dhe do të ekspozohej në Pazarin e Gjinokastrës përballë një publiku që sa vjen dhe rritet? Po sikur dikujt që ka vulën në dorë t’i shkonte mendja dhe të ndalonte çdo prodhim kitch Turko/Kinez të shitej në Pazarin e Gjinokastrës? Po sikur hapësira e mbushur me banalitete të prodhuara në provincat e largëta të Kinës t’i jepej artizanëve dhe fshatarëve të Jugut të Shqipërisë për prodhimet e tyre? Po sikur në një nga godinat e restauruara të hapej një shkollë artizanati ku të rinjtë të mësonin artin e traditës së Jugut? Po sikur veshjet e shtrenjta të malësorëve të Jugut të ringjalleshin përsëri dhe të lakmoheshin si dikur nga artistë dhe poetë europianë?

Artizanati i ndërthurur me turizmin është pjesë e rëndësishme e ekonomive lokale. Shumë vende e kanë zhvilluar duke e shtrirë në një sistem kapilar i cili krijon mundësi të arta punësimi, zhvillim ekonomik rural por edhe ruajtjen e traditës kulturore. Vlerë kjo shumë e rëndësishme në turizmin kulturor.

Për të mos shpikur rrotën ka plot modele nga ku mund të marrim dhe ta zhvillojmë jo vetëm në Pazarin e mrekullueshëm të Gjinokastrës por edhe atë të Shkodrës, qendra e dikurshme e artizanatit ballkanik. Ringritja e artizanatit tani që turizmi po mer një zhvillim të dukshëm është një nevojë urgjente jo vetëm si një mundësi ekonomike por edhe si shprehje e artit dhe trashëgimisë kombëtare. Me shumë pak fonde dhe me shumë dashuri ky Pazar mund të ringjallet shpirtërisht ashtu sic u ngjall edhe fizikisht.

Në këtë mënyrë Pazari i Gjinokastrës nuk do të jetë më një fasadë me mallrat e rreme por një vitrinë e kulturës shqiptare të cilën Blendi Fevziu mund ta promovoje çdo sezon veror pa ju shmangur dyqaneve të vogla pas shpinës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë