Politike

Zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Kukësit, PS drejt zyrtarizimit të emrit, opozita ende pa kandidatë  

Zgjedhjet për kryetarin e ri të bashkisë Kukës do të mbahen më 24 shtator ndërkohë forcat kryesore politike në vend nuk e kanë zyrtarizuar ende emrat kandidatë.

Nga Partia Socialiste sipas të gjitha gjasave do të jetë Prefekti aktual i qarkut Kukës, Albert Halilaj, i emëruar në këtë detyrë rreth një muaj më parë më firmë të kryeministrit Edi Rama.

Kjo është një taktikë që kreu i ekzekutivit e ka ndjekur edhe më parë kur kërkon të përgatisë një emër të ri në krye të bashkisë duke e deleguar njëherë në krye të qarkut.

Ndërkohe nga opozita situata shfaqet kaotike.

Sali Berisha nuk ka përmendur emër dhe as mënyrën se si do të dalë në zgjedhje sa kohe që zyrtarisht ai nuk ka as firmë dhe as vulë. Berisha nuk dha përgjigje për mediat nëse do të ndiqet e njëjta taktike si më zgjedhjet lokale duke dalë në koalicion me Ilir Metën.

Nga PD-ja zyrtare me Lulzim Bashën kryetar nuk ka ende një qëndrim apo emër. Por dega e PD-së Kukës që mbështet linjën e Bashës ka kërkuar bashkëpunim me palët e tjera në PD për të gjetur një emër të përbashkët, pasi  vetëm në këtë mënyrë, sipas saj, mund të dilet me një kandidat fitues.

Zgjedhjet në Kukës zhvillohen pas shkarkimit të ish-kryetarit të bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, i cili u arrestua më 24 qershor 2023 pas një video skandali të publikuar teksa ai kryen marrëdhënie intime me një grua brenda zyrës së bashkisë.  

Gjici fillimisht dha dorëheqjen dhe brenda pak orësh u shkarkua me vendim qeverie.

Gjici ndodhet aktualisht në burg i akuzuar për korrupsion pasiv. Në video, ai shfaqet duke i ofruar mbështetje financiare gruas (me të cilën kryen marrëdhënie intime) mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë