Politike

Të ndarë në Tiranë, por thirrje për bashkim nga Kukësi, dega e PD: Ftojmë anëtarët të dalim me një kandidat më 24 shtator

Partia Demokratike zyrtare dega Kukës ka shpërndarë një deklaratë ku fton edhe pjesën tjetër të partisë drejtuar nga Sali Berisha për të gjetur një kandidat të përbashkët për zgjedhjet për kryetar bashkie që do të mbahen me 24 shtator në Kukës.

Ndërsa Berisha nuk dha përgjigje për mediat nëse do të dalë sërish me të njëjtën skeme si në zgjedhjet lokale, pra me Ilir Metën në koalicion, nga pala tjetër e PD dhe jo drejtpërdrejtë nga Tirana zyrtare (por e shpërndarë nga zyra e kësaj të fundit) është bërë thirrje që të dilet me një kandidat të përbashkët.

Edhe pse kërkesa për ftesë nuk i drejtohet nominalisht grupit të Berishës, ajo mbetet e hapur për të diskutuar me këdo qoftë edhe simpatizant të PD-së për të garuar me një emër përballë kandidatit të PS-së që ende nuk është zyrtarizuar se kush do të jetë.

“Në kuadër të zgjedhjeve të datës 24 Shtator 2023 për kryetar bashkie, Partia Demokratike apelon për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar. 

Koha për të sjellë ndryshimin në Kukës ka ardhur. Ne ftojmë të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit tanë të bashkojmë energjitë dhe vullnetet tona për ta bërë realitet këtë ndryshim të shumëpritur.

Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve”, thuhet në deklaratën zyrtare të degës së PD-së, Kukës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë