Politike

‘Jo një njeri i pasur me mbështetje nga Tirana’, PAA drejt daljes me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryebashkiakun e Kukësit

Kreu i PAA, Agron Duka ka folur për zgjedhjet që do të mbahen në Kukës më 24 Shtator, ku do të votohet për  kreun e ri të bashkisë pas shkarkimit të Safet Gjicit.

Duka ka lënë të hapur mundësinë se partia që ai drejton mund të dalë me kandidatin e saj, duke bërë publike edhe kriteret që duhet të plotësojë kryebashkiaku i ri.

“Zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit, që do të mbahen më 24 shtator, në aspektin politik nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, pasi socialistët e kontrollojnë thuajse në tërësi pushtetin vendor. Megjithatë, ne si PAA mendojmë se këto zgjedhje kanë rëndësi për modelin e administratorit lokal që do të ofrojnë partitë.

Pikërisht për këtë arsye ne si PAA jemi duke diskutuar që të ofrojmë një model alternativ për qytetarët kuksianë.

Jo një njeri të pasur, që të garantojë votën me çdo kusht e me çdo çmim!

Jo një njeri me mbështetje të madhe politike në Tiranës, që të joshë qytetarët me pushtetin e tij personal!

Jo një njeri me hije korrupsioni dhe inkriminimi në karrierën e tij!

Por një njeri të ndershëm, përfaqësues dinjitoz të qytetarëve.

PAA siguroi 3 këshilltarë nga zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Kukësit. Astrit Dobrushi ishte kryesuesi i listës. Ne jemi në kontakt me qytetarë të Kukësit dhe presim edhe mendimet e tyre nëse PAA mund të ketë kandidatin e vet në këto zgjedhje! “, shkruan Duka


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë