Nga Gazeta ‘Si’-Enti Rregullator i Energjisë refuzoi kërkesën e furrave të bukës dhe prodhimit të miellit për të rishikuar çmimin e furnizimit me energji elektrike.
Në vendimin e bërë publik nga ERE, arsyetohet se shoqëria “Furnizuesi i Shërbimit Universal” nuk ka plotësuar kriteret, mbi të cilat do të mund të vlerësohen dhe të analizohen kostot e aktivitetit si dhe niveli i të ardhurave.
Kërkesa për rishikimin e çmimit të energjisë u depozitua pak muaj në parë, ku shoqata kërkonte aplikimin e drejtë dhe jodiskriminues të çmimeve të energjisë elektrike ndaj klientëve, si dhe përfitimin e çmimit vetëm për aktivitete të caktuara.
Shoqata i bëri tre propozime qeverisë:
1- Furrat e bukës që prodhojnë vetëm bukë të jenë në ambient të ndarë pa certifikatë pronësie dhe me sahat matës të veçantë, 7.6 lekë/kWh.
2- Furrat që prodhojnë bukë dhe prodhime brumi të kenë tarifim alternativ 9.5 lekë ose të studiohet me një grup të përbashkët.
3- Prodhimi dhe shitja e pastiçerive ku nuk ka prodhim buke të jetë me tarifimin 140 lekë.
Sipas tyre, ndarja e ambienteve për qëllime të faturimit të energjisë së konsumuar ka shkaktuar probleme, si dhe abuzime duke sjellë rritje të kostove për shumë furra buke dhe prodhues mielli.
Më 13 qershor, ERE organizoi një seancë dëgjimore ndërmjet përfaqësuesve të ERE- dhe Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave.
Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar disa herë që prodhuesit të cilët prodhojnë vetëm bukë të vazhdojnë të paguajnë çmimin preferencial 7.6 lekë/kWh. Ndërsa bizneset e tjera që prodhojnë dhe shesin edhe produkte të tjera veç bukës, mund të paguajnë çmimin real të energjisë, 18.8 lekë/ kWh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




