Ndonjëherë nevojitet vetëm një vizitë për të bindur vizitorët të paketojnë gjërat e tyre dhe të lëvizin përgjithmonë në Bonaire, ishull në Holandë. Në vitet 1960, Bonaire kishte një popullsi më pak se 6,000, por kjo u dyfishua në 15,000 deri në vitin 2010. Sot, rreth 23,000 njerëz e quajnë Bonaire shtëpinë e tyre, sipas Statistikave të Holandës.
Bonaire ndodhet pak larg brigjeve të Venezuelës dhe është një nga tre ishujt ABC: Aruba, Bonaire dhe Curaçao. Bonaire është një komunë e veçantë e Holandës; Aruba dhe Curaçao janë vende autonome brenda Holandës. Bonaire është vetëm 287 kilometra katrorë, dhe mund të vizitohet komplet në tre ose katër orë.
Është një fluturim tre-orësh direkt nga Majami në një aeroport të vogël, dhe më pas 10 minuta me makinë deri në kryeqytetin e ishullit, Kralendijk, ku janë përqendruar shumica e vendpushimeve. Në Delfins Beach Resort, dhomat janë të pajisura me mini-kuzhina, pasi shumica e të ftuarve qëndrojnë shumë aty, me javë apo më shumë.
Ekzistojnë gjithashtu shtëpi me qira nëpërmjet Airbnb, dhe shumë prej tyre kushtojnë më pak se 100 dollarë për natë.
Bonaire ka qenë gjithmonë ishulli më pak i zhvilluar midis ishujve ABC dhe një marrëveshje e vitit 1969 ndihmoi në zhvillim me krijimin e një parku kombëtar.
“Një djalosh, që quhej Herrera, pronari i ish Plantacionit të Uashingtonit, bëri një marrëveshje me qeverinë për të marrë tokën pas vdekjes së tij me qëllimin e vetëm për ta mbajtur atë një vend të shenjtë natyror”, shpjegon Annette Emerenciana, zëdhënëse e Tourism Corporation Bonaire. Një tjetër plantacion iu shtua zonës 10 vjet më vonë. Parku Kombëtar Uashington Slagbaai mbulon pak më pak se 14,000 hektarë.
Më pas, në vitin 1999, qeveria e Bonaire bleu Klein Bonaire (një ishull i pabanuar gjysmë kilometri në det të hapur) nga sektori privat për 4.6 milionë dollarë me marrëveshjen që do të mbetej një ishull i paprekur. Bonaire konsiderohet i sigurt dhe Departamenti Amerikan i Shtetit e vendos ishullin si një nga vendet më të sigurta për të udhëtuar.
Moti është i ngrohtë, shkollat publike janë të shkëlqyera dhe për banorët ofrohet kujdes shëndetësor falas. Nuk ka semaforë, dhitë dhe flamingot enden lirshëm, plazhet janë të bukura dhe strehimi është relativisht i përballueshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.