Njerez

Tifozi biznesmen i habit të gjithë në Brazil, i lë testamentin Nejmarit

Gazeta Si – Një biznesmen 30-vjeçar nga Brazili ka zbuluar se e ka marrë këtë vendim, sepse identifikohet shumë me sulmuesin e PSG-së dhe Brazilit.

Nejmar është gjithmonë në qendër të vëmendjes, shpesh për polemika dhe kritika. Këtë herë jo për çështje personale, por sepse një biznesmen nga Porto Alegre ka bërë të ditur se i ka lënë testamentin yllit brazilian të futbollit, duke i trashëguar gjithë pasurinë, madje ka treguar edhe dokumentin.

Dokumenti i testamentit te tifozit biznesmen. gazeta Si, 30 qershor 2023

Biznesmeni tifoz e ka bërë këtë gjë në praninë e dy dëshmitarëve te noteri. Ai ka shpjeguar se e ka marrë vendimin për shkak të disa problemeve me shëndetin. “Më pëlqen Nejmar, shoh veten tek ai, – ka thënë biznesmeni. – Raporti që ai ka me të atin më kujton raportin që unë kisha me babanë tim që ka vdekur. Mbi të gjitha e di që nuk është një oportunist, diçka e rrallë në kohët e sotme.

Jam gati 31 vjeç, nuk jam mirë me shëndet. Kam parë që nuk kam askënd që mund t’i lë gjërat e mia, nëse humbas jetën”, – ka shtuar ai, duke pohuar se e ka bërë gjithçka me vetëdije të plotë.

Nejmar ndërkohë ka pasur probleme me ligjin në Brazil, ku është akuzuar se ka shkelur rregullat e territorit gjatë ndërtimit të vilës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë