Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për të marrë pjesë në betimin si kryebashkiak i Himarës.
Ceremonia pritet që të kryhet ditën e martë (27 qershor), ku do të konsituohet Këshilli i ri Bashkiak i Himarës, i dalë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Beleri është kryebashkiaku i parë në historinë zgjedhore që fiton në zgjedhje, ndërsa ndodhet në burg. Për të nuk ka ende një vendim dënimi të formës së prerë nga gjykata, ndërsa ende nuk e ka bërë betimin në Këshillin Bashkiak.
Nëse ai nuk betohet apo nuk paraqitet për tre muaj në bashki, mund ta humbasë mandatin dhe të shkarkohet.
Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak mund të bëjë kërkesë për shkarkimin e tij, por vendimi merret nga Këshilli i Ministrave.
Beleri ndodhet në qeli që prej datës 12 maj ku akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Fredi Beleri ka kërkuar disa herë që të që të lirohet nga qelia, por kërkesat e tij janë rrëzuar nga gjykatat. Së fundmi Apeli i Gjykatës së Posaçme i ka rrëzuar Belerit dhe pretendimet për arrestim të paligjshëm dhe pavlefshmëri të përgjimeve.
Beleri akuzohet se ka dhënë para në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Ai u ndalua së bashku me Pandeli Kokaveshin, i cili u lirua nga qelia për shkak të problemeve shëndetësore.
Ndërkohë njeriu i afërt i Belerit, Pandeli Kokaveshi, i vënë në pranga si bashkëpunëtor në shit-blerje të votës u lirua nga Gjykata e Apelit për arsye shëndetësore.
Ai do të ketë detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në prokurori. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, pas dhënies së 40 mijë lekëve për 8 vota një personi të infiltruar të Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.