Rend dhe Ligj

Favorizuan kultivimin e kanabisit, 13 masa sigurie në Policinë e Shkodrës për shpërdorim detyre. Pezullohet edhe zv/Drejtori Kushe

Zëvendësdrejtori  për Hetimin e Krimeve në Policine Shkodër Hajri Kushe është pezulluar nga detyra, pasi dyshohet se është përfshirë në kultivimin e kanabisit në Velipojë. Ndaj tij është caktuar edhe masa e sigurise ndalim i daljes jashte shtetit. 

Po ashtu edhe 12 punonjës policie në Shkodër janë shoqëruar në komisariat dhe janë vënë nën hetim nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Efektivët dyshohet kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në Njësinë Administrative Ana e Malit Shkodër, si dhe kanë neglizhuar me dashje marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin, evidentimin e kultivimit dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve

Prej disa ditësh policia ka nisur kontrolle me dronë me qëllim identifikimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.

Masat janë dhënë për:

-Hajri Kushe – Zëvendësdrejtor i krimeve në Qarkun e Shkodrës (Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit);

-Dedim Gjeta – Shef krimesh, ish shef i komisariatit të Shkodrës, aktualisht shef rendi i Lezhës (Ndalim dalje jashtë shtetit);

-Pëllumb Shpati – Ish shef krimesh në Shkodër, aktualisht polic në fushën e Krimit Ekonomik (Arrest shtëpie);

-Ilir Hasaj – Shef i SPZ Shkodër me gradë komisar (Ndalim dalje jashtë shtetit);

Taulant Kurtaj – Arrest shtëpie;

-Asllan Shytaj – Ndalim dalje jashtë shtetit;

-Arben Memaj – Ndalim dalje jashtë shtetit;

-Arben Dekovi – Ndalim dalje jashtë shtetit;

-Vehbi Nase – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

-Gjin Guri – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

-Nazmi Beqiri – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

-Sokol Pjetri – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

-Ardis Çoçja – Pezullim i ushtrimi të detyrës;

-Të tjerët pjesë e SPZ, Specialist i Policisë së zonës, janë nën masën arrest shtëpie.

Njëri prej tyre, përkatësisht Pëllumb Shpati, me detyrë polic në fushën e Krimit Ekonomik, i cili është dënuar me arrest në shtëpi, përveç shpërdorimit të detyrës rëndon edhe akuza e përkrahjes së autorit pas krimit.

“Masat e sigurimit personal u ekzekutuan, pasi nga hetimet disa mujore të zhvilluara nga AMP në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Shkodër, janë administruar prova dhe fakte, ku provohet se punonjësit e policisë të mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me veprime dhe mosveprime, duke abuzuar me kompetencat që ju jep detyra funksionale, kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në Njësinë Administrative Ana e Malit Shkodër, si dhe kanë neglizhuar me dashje marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin, evidentimin e kultivimit dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke krijuar kështu kushte të favorshme për largimin e tyre”, njofton policia.

Sipas burimeve, personat e akuzuar nuk kanë vepruar në zonën e Velipojës dhe zonën e Obotit gjatë një operacioni antidrogë të Policisë së Shtetit ku u shkatërruan 70 mijë rrënjë kanabisi, duke shpërdoruar detyrën.

Vendimi është dhënë nga Prokurorja e Shkodrës, Blerta Hamza, për personat e akuzuar pjesë e Policisë së Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë