Politike

Të zgjidhet kryetari apo të riorganizohen degët? Kryesia e PD mes Bashës dhe Bardhit       

Kur Gazment Bardhi u pyet nga media pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD se a ishte i gatshëm që të takohej edhe me Sali Berishën, ai i la të gjitha kartat e hapura. Ashtu si edhe ngritja e grupit të punës, e miratuar po nga deputetet, për të filluar riorganizimin e partisë, me paqartësinë nëse do të përfshihej pala tjetër e Berishës e cila i ka zgjedhur strukturat e saj.

Megjithatë, në emër të bashkimit, Gazment Bardhi i la variantet hapur.

Por jo Lulzim Basha i cili mungoi në mbledhjen e të hënës së grupit parlamentar pa një shpjegim zyrtar.

LEXO EDHE:
– Bardhi: Riorganizim nga poshtë-lart. Çupi: Partinë ta drejtojë Bardhi e Tabaku. Zgjedhjet urgjente, vrastare (mungon Basha dhe Alibeaj)
– Grupi parlamentar i PD del me qëndrim zyrtar: Të ngrihet një grup pune për bashkimin e partisë (deklarata e plotë me 5 pika dhe 3 hapa)
– Plas tek PD zyrtare/ Kolegji i kryetarëve të zgjedhur nga Basha kundër grupit të drejtuar nga Bardhi: Kryetari të zgjidhet më 15 korrik

Basha shfrytëzoi një takim me të rinjtë demokratë në Berat për të thënë se ishte kundër bashkimit me palën tjetër. Madje ai e përjashtoi në bisedime.

“Jam kundër çdo bashkimi mekanik, nuk jemi ndarë për gjëra të vogla me ata që jemi ndarë më parë. Jemi ndarë për bindje, nëse i dorëzojmë këto kauza, me çfarë fytyre do u kërkojmë votën shqiptarëve. Ky bashkim, nëse ndodh është garanci për humbjen e radhës…” i tha Basha indirekt Bardhit. Dhe jo vetëm. Pa një njoftim paraprak, rreth orës 9.00 të mbrëmjes të së hënës nga zyra e shtypit e PD-së zyrtare u përcoll një takim i beftë i kryetarëve të degëve zgjedhur që në kohën e Bashës që dilnin katërciprisht kundër propozimit të Bardhit dhe deputetëve të tij mbështetës. Jo vetëm që ishin kundër riorganizimit në bazë, (duke kërkuar që të ruajnë status-quonë) por kërkuan sa më shpejt zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë mundësisht brenda datës 15 korrik. Por zgjedhjen e kryetarit, deputetët e Bardhit e cilësuan katastrofike nëse ndodhte aq herët.

Dhurata Çupi propozoi që partia përkohësisht të drejtohej gjatë periudhës tranzitore të riorganizimit nga Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku.  Për këtë të fundit u shpreh dakord edhe Bardhi në një deklaratë për media.

Tabaku, e cila mungoi të hënën në mbledhjen me deputetë për shkak të një angazhimi zyrtar në Maqedoninë e Veriut, nuk është shprehur kundër gjithashtu, edhe pse ka qartësuar se drejtimin nuk e ka ambicie   

Por pala tjetër, ajo e drejtuar nga Basha, (i mbështetur nga Alibeaj) mendojnë ndryshe. Në mesin e këtij debati që  lidhet haptazi me betejën se kush merr drejtimin e PD-së,  kryesia e PD-së ka paralajmëruar një mbledhje të martën pasdite.

Nëse do të shohim raportet e numrave të kryesisë ato janë thuajse të barabartë në numra se kush mund të fitojë teza Basha apo ajo e Bardhit.

Ndaj dhe me rëndësi në këtë mbledhje do të jetë pjesëmarrja.

Sepse vendimet që do të merren sot në kryesi do të përcaktojnë nëse PD-ja do të shkojë drejt një riorganizimi të kërkuar nga deputetët apo zgjedhjes sa më shpejt të kryetarit, që mbështetet nga degët e kontrolluara me vulë nga Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë